image Ngritet aktakuzë ndaj të dyshuarit që e kërcënoi gazetaren e Sinjalit

Drejtësi

Ngritet aktakuzë ndaj të dyshuarit që e kërcënoi gazetaren e Sinjalit

news image

Policia e Kosovës ka arritur ta arrestojë dje të dyshuarin që e kërcënoi gazetaren e Gazetës Sinjali pas një videoje të publikuar më 5 janar të këtij viti. Ndërsa sot, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj tij.

Lajmin për ngritjen e aktakuzës e konfirmoi për Sinjalin zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

“Sot, prokurori ka ngritur aktakuzë kundër personit me inicialet D.K., në drejtim të veprës penale ‘Kanosja’, me kërkesë për caktimin e masës së ndalimit për t’iu ofruar personit apo vendit të caktuar”, ka thënë Ulaj.

I dyshuari Dardan Krasniqi, ka kërcënuar gazetaren e Sinjalit më 6 janar, pas publikimit të videos, në të cilën shihen dy vajza të cilat kanë dalë në xhamat e një taksie dhe vallëzojnë derisa vetura është në lëvizje, në qendër të Prishtinës.

Pas publikimit të pamjeve, i njëjti ka kërcënuar gazetaren e Sinjalit me disa nga fjalët: “E sheh qitash kur t’vi aty t’kallxoj, ka me ardhë te dera, me ju ru ren. A po e fshin qato, unë nuk ta njoh ligjin hiç”.

Rasti është denoncuar në Policinë e Kosovës më 7 janar.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/