Të gjithë partnerët që përbëjnë koalicionin qeverisës në Maqedoninë e Veriut pas takimit me kryeministrin në dorëheqje, Zoran Zaev, janë shprehur se përbërja qeveritare është e qëndrueshme, duke ripërsëritur qëndrimin se janë kundër dorëheqjes së kreut të qeverisë.
Ndërkohë, ende nuk dihet se kur Zaevi do ta dorëzojë në Kuvend dorëheqjen nga posti i kryeministrit, të cilën dorëheqje ai e paralajmëroi menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve lokale të dielën.
Nga takimi ndërmjet partnerëve të koalicionit u dha një porosi e qartë se votat e 62 deputetëve qëndrojnë pas kësaj përbërjeje të qeverisë.
Nga ana tjetër, nga VMRO DPMNE-ja të martën kanë thënë se dorëheqja e paralajmëruar e kryeministri Zaev është blof.
“Zoran Zaev sërish bëri blof dhe dorëheqja e tij mbeti vetëm në Facebook dhe nuk e deponoi të njëjtën me shkrim në Kuvend. Nga këtu duket se dorëheqja e Zaevit njëjtë si dorëheqja e Filipçes (Venko Filipçes, ministër i Shëndetësisë), u dha për të mos u pranuar dhe më pas t’i ikë përgjegjësisë”, ka deklaruar Dragan Kovaçevski, zyrtar i lartë në VMRO-DPMNE.
Por, Vlladimir Bozhinovski, drejtues i Institutit për Kërkime Politike thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe kundrejt kërkesës së partnerëve të koalicionit qeverisës nuk ka hapësirë që Zaevi ta tërheqë dorëheqjen e tij, të cilën e ka bërë publike. /REL/
“Nëse Zaevi pendohet për dorëheqjen, më së shumti do të humbte ai dhe partia që e drejton. Pra, nëse Zaevi e tërheq dorëheqjen, do të kemi problem serioz me legjitimitetin politik të kësaj përbërjeje qeveritare, e cila është në këmbë të qelqta për shkak të shumicës së ngushtë parlamentare”, vlerëson Bozhinovski.
Ndërkohë, nga opozita shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa bëjnë të ditur se po punohet në mënyrë intensive për formimin e një përbërjeje të re qeveritare.
Përderisa opozita maqedonase, VMRO-DPMNE, para zgjedhjeve dhe në mes rundeve zgjedhore e ka mbrojtur qëndrimin se është çështje kohe kur do ta bëjnë të ditur shumicën e re parlamentare të kryesuar nga kjo parti, tani janë shprehur më të përmbajtur duke thënë se po punohet në këtë drejtim, por duke lënë hapësirë që kjo gjë të mos arrihet dhe vendi shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. /GazetaSinjali/