Mbrëmë në Pejë ka ndodhur një ngjarje tragjike ku kanë mbetur të vrarë kandidati për kryetar të Pejës nga radhët e PDK-së, Astrit Ademaj dhe ish-kandidati për kryetar të Deçanit nga PDK, Blerand Kadrijaj.
I plagosur ka mbetur vëllai i Astritit, Avniu, i cili menjëherë është arrestuar dhe ndaj tij është bërë kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, si i dyshuar për veprën penale të “vrasjes”.
Lajmin për Sinjalin e kanë konfirmuar nga Prokuroria Themelore në Pejë, shkruan Gazeta Sinjali.
Policia në raportin 24 orësh ka njoftuar se Avni Ademaj pas arrestimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Sot zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikqi, në një konferencë për media ka treguar se Prokuroria janë në vendin e ngjarjes dhe deri më tani janë sekuestruar dy armë dhe gëzhojat nga vendi i ngjajres.
“Mbrëmë si pasojë e të shtënave me armë zjarri dy kanë vdekur, ndërkaq një person është plagosur. Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur organet përgjegjëse. Sot gjatë ditës kryeprokurori së bashku me prokuroren kanë dalë ne vendngjarje. Janë sekuestruar dy armë dhe gëzhojat që janë përdorur për personat e vrarë”, ka thënë ai.
Tutje Nikqi ka shtuar se duhet të jenë të rezervuar për detajet e tjera lidhur me ngjarjen
“Derisa të përfundojnë të gjitha veprimet hetimore për këtë çështje duhet të jemi të rezervuar, për shkak se është rast i ndjeshëm”, ka shtuar ai.
Nikqi në pyetjet që ia kanë drejtuar gazetarët nuk ka dhënë detaje lidhur me rastin duke thënë se mund t’i dëmtojnë hetimet.
Ai ka shtuar se hetimet janë duke u zhvilluar në disa pista.