image Nga vendlindja e Rugovës, Osmani tha se do ta ndjekë frymën Rugoviane

Kosovë

Fushatë/ Nga vendlindja e Rugovës, Osmani tha se do ta ndjekë frymën Rugoviane

news image

Gjatë një vizite në vendlindjen e ish presidentit, Ibrahim Rugova, në Cërrcë të Istogut, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre, Vjosa Osmani, tha se LDK-ja po rikthehet sikur në kohën e Rugovës.

“Asnjë vend nuk mund të jetë më krenar se ju sot. Cërrca është vendi që i dha Kosovës mendjen më të urtë, më të ndritur dhe më këmbëngulëse që njeh historia jonë e re, arkitektin e pavarësisë, presidentin Rugova, që ishte sublimim i përpjekjeve tona për liri, pavarësi e demokraci”, ka thënë Osmani.

Ajo ka theksuar se LDK-ja e ka besimin e plotë të banorëve të vendlindjes së Rugovës.

“Këtë besim dhe përkrahje tuajën do ta ruaj në përjetësi duke dërguar në vend synimin e Presidentit tonë Rugova për një shtet demokratik, të lirë dhe të pavarur, në miqësi të përjetshme me miqtë tanë euroatlantikë”, ka thënë Osmani.

Osmani premtoi se qeverisja e saj do të jetë properëndimore dhe sipas modelit Rugovian.

“Neve na duhet një Qeveri , por të dalë para botës dhe të flasë për rininë tonë të mrekullueshme. Të rinjtë e suksesshëm duhet të jenë nëpër faqet e para të gazetave dhe jo politikanët e korruptuar”, ka deklaruar Osmani.

Kjo, pasi sipas Osmanit është detyrë e shenjtë nga ata që i vunë themelet e shtetit.

“Këtë amanet na e la Ibrahim Rugova së bashku me bashkëpunëtorët e tij. E kemi detyrë të shenjtë nga ata që i vunë themelet e këtij shteti dhe nga ata që sakrifikuan edhe jetën që ne ta gëzojmë lirinë. LDK do të krijojë shpresë për këtë vend dhe do ta ndalë zbrazjen e Kosovës nga më të mirët tanë-rinia jonë”, është shprehur Osmani.

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, ka thënë se do të jetë besnike ndaj qytetarëve, duke luftuar me vendosmëri çdo shkelje të ligjit dhe duke garantuar barazi për të gjithë./Gazeta Sinjali/