Nga kompania Pfizer/BioNTech në një përgjigje për Gazetën Sinjali, kanë konfirmuar se janë në diskutime me Qeverinë e Kosovës për të siguruar vaksinën antiCOVID.
“Ne jemi në diskutime me Qeverinë e Kosovës për të siguruar qasje në vaksinë. Diskutimet me Qeverinë janë konfidenciale dhe nuk kemi asgjë për të njoftuar në këto momente”, i tha Sinjalit Ursha Lakner, menaxhere e lartë për çështje publike dhe politike në Pfizer.
Kosova ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit më 29 mars, pas sigurimit të 24,000 dozave të vaksinës AstraZeneca, përmes programit COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.
Ky vend është thënë se do të pranojë edhe 76,800 doza tjera të vaksinës së AstraZeneca nga ky program në periudhën prill-qershor, ashtu sikurse mbi 100,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, deri në fund të qershorit.
Lakner tutje i tha Sinjalit se “Pfizer dhe BioNTech janë të përkushtuar për të sjellë këtë vaksinë për të ndihmuar në përmbushjen e nevojës globale të shëndetit publik”. /Gazeta Sinjali/