Për shkak të zhvillimeve të fundit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, të cilat janë përcjellë edhe me tensione ndërmjet grevistëve dhe menaxhmentit, Inspektorët e Departamentit për Siguri Publike në kuadër të MPB-së kanë filluar hetim, merr vesh Sinjali.
Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërhyrë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, sepse ka vlerësuar se greva e punëtorëve për shkak të mosmarrëveshjes me menaxhmentin mund të rrezikojë sigurinë ndërkombëtare. Sinjali merr vesh se MPB ka identifikuar 11 shkelje nga Aeroporti Ndërkombëtar për të cilat është kërkuar intervenim urgjent, në të kundërtën do të pezullohet aktiviteti i aeroportit.
Në media po raportohet se tashmë nga puna janë suspenduar nëntë grevistë.
Inspektorët për siguri të aviacionit civil të MPB-së janë në hapësirat e aeroportit dhe deri më tani sipas MPB-së, “nuk janë raportuar probleme të cilat e cenojnë sigurinë e Aviacionit Civil në Republikën e Kosovës”.
Ndërkohë, ANP ka mohuar raportimet se fluturimet janë shtyer nga pakënaqësitë brenda aeroportit.
E gjithë kjo po ndodh në kohën kur ANP është i mbingarkuar me pasagjerë për shkak të fluksit të mërgimtarëve.
Sinjali do të ju mbajë në vazhdimësi të informuar për zhvillimet brenda aeroportit./Sinjali/