image Vazhdon hallakama në Aeroport, ndërhyn Ministria e Punëve të Brendshme

Kosovë

Vazhdon hallakama në Aeroport, ndërhyn Ministria e Punëve të Brendshme

news image

Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërhyrë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, sepse kanë vlerësuar se greva e punëtorëve për shkak të mosmarrëveshjes me menaxhmentin mund të rrezikojë sigurinë ndërkombëtare. Sinjali merr vesh se MPB ka identifikuar 11 shkelje nga Aeroporti Ndërkombëtar për të cilat është kërkuar intervenim urgjent, në të kundërtën do të pezullohet aktiviteti i aeroportit.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe ministri i Punëve të Brendshme Ekrem Mustafa. Ai tha se nëse aeroporti nuk i eviton shkeljet nuk ka se si të funksionojë.

“Nuk e kemi mbyll aeroportin, kjo ka ndodh për shkaqe të grevës. Ministria e Punëve të Brendshme i ka identifiku 11 shkelje që i ka bërë menaxhmenti, nëse të njejtit nuk i evitojnë shkeljet nuk ka se si  të funksionojë aeroporti. Ne ua kemi tërhequr vërejtjen, menaxhmeti është i obliguar me dhanë përgjigjje, disa nga shkeljet i kanë evitu…Nëse nuk i respektojnë procedurat nuk munden me funksionu, sepse nuk guxojmë me rreziku sigurinë ndërkombëtare” , tha Mustafa për Sinjalin.

Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ në Prishtinë pritet të mbajnë sot serish grevë, pasi përpjekjet për të dialoguar me menaxhmentin rreth kërkesave të tyre deri më tash nuk kanë treguar rezultate.

Gjatë mbajtjes së grevës dje gati sa nuk ka eskaluar situata në aeroport, kjo ka shkaktuar tollovi dhe shtyerje të fluturimeve.

Cilat janë kërkesat e punëtorëve?

Kërkesat e punëtorëve karshi menaxhmentit të Aeroportit të Prishtinës janë kompensimi dhe benefitet për rrezikshmërinë, të eliminohen dallimet në pagesë në rastet ku punëtorët kanë detyrat dhe përshkrimin e njëjtë të punës, orët e njëjta të punës duke ngritur pagat e ulëta në nivelin e barabartë me kolegët, pagesën për përvojë të punës, orët e punës gjatë vikendit të paguhen, si dhe pagesa e shujtës

Sinjali do të ju mbajë të informuar për të gjitha zhvillimet brenda aeroportit.