image Nga jetim në oligark miliarder të sanksionuar, kush është Roman Abramovich?

Botë

Nga jetim në oligark miliarder të sanksionuar, kush është Roman Abramovich?

news image

Roman Abramovich mbeti jetim në moshën trevjeçare, por fati deshi që ai të shndërrohej në një nga njerëzit më të pasur në botë. Momentalisht, oligarku rus ka qenë në qendër të vëmendjes për lidhjet me Vladimir Putin, gjë që i ka shkaktuar probleme me pasurinë dhe reputacionin e tij.

Duke marrë parasysh ngjarjet e javëve të fundit, shanset e Abramovich për anonimitet janë shumë të vogla. Pas disa vitesh përpjekje për të shqyrtuar marrëdhëniet e Abramovich me Kremlinin, Mbretëria e Bashkuar ka ngrirë tashmë asetet e tij, duke përfshirë shtëpitë, veprat e artit dhe klubin e Chelsea FC.

Padyshim ajo çka po ndodh me supermiliarderin rus, mund të jetë një nga momentet më të vështira në jetën e tij, por ai ka kapërcyer edhe sfida më të mëdha më parë.

Nga jetim në manjat

Roman Arkadyevich Abramovich lindi në Saratov në Rusinë jugperëndimore në vitin 1966. Nëna e tij, Irina, vdiq nga helmimi i gjakut kur ai ishte një vjeç, ndërsa babai i tij vdiq dy vjet më vonë në një aksident me një vinç ndërtimi. Pas kësaj, Abramovich u rrit nga të afërmit në Komi, në Rusinë veriperëndimore, në varfëri ekstreme.

Të them të vërtetën, nuk mund ta quaj fëmijërinë time të keqe. Në fëmijërinë tuaj nuk mund t’i krahasoni gjërat: dikush ha karota, tjetri ha karamele, të dyja kanë shije të mirë. Si fëmijë nuk mund të dallosh ndryshimin”, tha Abramovich në një intervistë për “The Guardian”

Ai la shkollën në moshën 16-vjeçare, punoi si mekanik dhe shërbeu në Ushtrinë e Kuqe, përpara se të shiste lodra plastike në Moskë. Në kohën kur udhëheqësi sovjetik, Mikhail Gorbachev, u dha më shumë hapësirë ​​sipërmarrësve, Abramovich nisi të merrej më tregtimin e parfumeve dhe deodorantëve.

Fillesat e karrierës

Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe bashkë me të edhe e komandës shtetërore dhe aseteve minerale, iu dhanë më shumë mundësi njerëzve të merreshin me biznes. Në mesin e të 20-tave, jeta e Abramovich mori një kthesë të papritur, e cila i hapi atij udhën për t’u bërë një nga njerëzit më të pasur në botë. Në një ankand të manipuluar në vitin 1995, Abramovich mori kompaninë e naftës Sibneft nga qeveria ruse për rreth 250 milionë dollarë. Ai ia shiti më pas qeverisë për 13 miliardë dollarë në vitin 2005.

Avokatët e tij thonë se nuk ka asnjë bazë për të pretenduar se ai ka grumbulluar pasuri përmes kriminalitetit. Megjithatë, në vitin 2012, ai pranoi në një gjykatë në Mbretërinë e Bashkuar se kishte bërë pagesa korruptive për të realizuar marrëveshjen me kompaninë Sibneft.

Abramovich u përfshi edhe në “luftërat e aluminit” në vitet 1990, në të cilat oligarkët – ata që kishin grumbulluar pasuri të mëdha dhe pushtet politik pas rënies sovjetike – luftuan për kontrollin e kësaj industrie të madhe. “Çdo tri ditë, dikush vritej”, tha Abramovich në vitin 2011, duke theksuar rrezikun në të cilin ndodhej gjatë gjithë kohës. Por pavarësisht këtij kaosi, ai shfaqi vendosmërinë dhe guximin e tij, duke grumbulluar qindra miliona paund.

Hyrja në politikë

Abramovich u bë një aleat i Presidentit Boris Yeltsin dhe një figurë me rëndësi në skenën politike post-sovjetike të Moskës. Kur Jeltsin dha dorëheqjen në vitin 1999, Abramovich thuhet se ishte ndër ata që mbështetën kryeministrin dhe ish-spiunin e KGB-së, Vladimir Putin, si pasardhësin e Yeltsin. Kur Putin u vendos në krye, u përpoq të shfaqte dominimin e tij mbi oligarkët. Kush nuk tregoi besnikëri ndaj liderit rus, përfundoi në burg ose i internuar. 

Abramovich jo vetëm që nuk pati fatin e shumë prej kolegëve të tij, por duket se ishte dhe një nga njerëzit besnik të Putinit. Në vitin 2000, ai u zgjodh guvernator i rajonit të Chukotka, në skajin verilindor të Rusisë. Aty fitoi popullaritet pasi investoi paratë e tij në shërbimet sociale dhe nisi të ndihmonte komunitetin vendas, por dha dorëheqjen në vitin 2008. Gjatë gjithë kësaj kohe, oligarku rus vazhdoi të shtonte bizneset dhe pasurinë e tij, që po arrinte vlera marramendëse.  

Largimi drejt Londrës

Në një lëvizje të pazakontë për një njeri të përshkruar si i qetë, madje i ndrojtur, Abramovich u bë i famshëm në botën e futbollit, kur bleu klubin e Chelsea-t në vitin 2003.

E gjithë filozofia ime në jetë është të sjellë ekipe profesionale. Në Chukotka kam ekipe profesionale në terren dhe këtë do ta bëj edhe këtu”, tha Abramovich për “Financial Times”.

Nën drejtimin e Jose Mourinhos dhe të tjerëve, pasuria e Abramovich ndihmoi Chelsea-n drejt pesë Ligave Premier, dy Ligave të Kampionëve dhe pesë Kupave FA.

Duhet thënë se shumë oligarkë janë vendosur në Mbretërinë e Bashkuar, vitet e fundit, duke blerë atje prona të shumta. Edhe Abramovich besohet se zotëron një rezidencë me 15 dhoma gjumi në Kensington Palace Gardens në perëndim të Londrës, që vlen më shumë se 150 milionë dollarë dhe një banesë në Chelsea. Veç këtyre, ai mendohet se është gjithashtu pronar i një ferme në Kolorado dhe i një shtëpie pushimi në rivierën franceze. Jahtet e tij, Solaris dhe Eclipse, janë ndër më të mëdhatë në botë. Abramovich, i cili është divorcuar tri herë, ka gjithashtu një avion personal.

Rasti i shpifjes

I pyetur nga “The Guardian” në vitin 2006 se çfarë ndikimi kanë paratë te një njeri, ai u përgjigj: “Nuk mund të të blejnë lumturinë. Por pavarësi, po!”. Gjiganti i medias financiare “Bloomberg”, vlerëson se pasuria e Abramovich është rreth 13.7 miliardë dollarë, duke e renditur atë si personin e 128-të më të pasur në botë. Megjithatë, ajo që vihet gjithmonë në pikëpyetje për Abramovich është marrëdhënia me Putinin dhe se sa realisht është i ndikuar prej tij.

Vitin e kaluar, Abramovich paditi Shtëpinë Botuese “HarperCollins” për shpifje në librin, “Njerëzit e Putinit” nga Catherine Belton, ku pretendohej se presidenti rus e kishte urdhëruar atë të blinte Chelsea-n. Të dyja palët u përballën dhe botuesi pranoi të bënte disa sqarime.

Kur forcat ruse u vunë në kufirin me Ukrainën dhe më pas e pushtuan atë, Abramovich u vu menjëherë në qendër të vëmendjes. Sapo u njoftua ngrirja e aseteve të Abramovich dhe gjashtë oligarkëve të tjerë në Mbretërinë e Bashkuar, Sekretarja e Jashtme Liz Truss deklaroi: “Me lidhjet e tyre të ngushta me Putinin, ata janë bashkëpunëtorë në agresionin e tij. Gjaku i popullit ukrainas është në duart e tyre”.

Abramovich njoftoi shitjen e Chelsea-t tetë ditë para vendosjes së sanksioneve. Disa fansa vazhduan të thërrasin emrin e Abramovich, por shumë politikanë po bëjnë thirrje që asetet e tij të konfiskohen, dhe jo thjesht të ngrihen, shkruan A2CNN.

Shpresoj se do të jem në gjendje të vizitoj Stamford Bridge për herë të fundit, për t’ju thënë lamtumirë të gjithëve personalisht”, u tha Abramovich mbështetësve të Chelsea-t. Por një kthim në Londrën perëndimore nuk ka gjasa për ca kohë.

Së fundmi, u tha se Abramovich pësoi simptoma të helmimit, së bashku me negociatorët e lartë ukrainas, në bisedimet e paqes në kufirin Ukrainë-Bjellorusi, në fillim të marsit. Sipas britanikes “The Guardian”, miliarderi u shtrua në një spital në Turqi për t’u kuruar, pasi përjetoi dhimbje të forta dhe humbje të shikimit. Përveç tij, edhe dy persona të tjerë që morën pjesë në bisedimet për paqe më 3 mars, pësuan simptoma të ngjashme.

/GazetaSinjali/