Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, kanë mundësuar riatdhesimin e 13 personave, të cilët kishin udhëtuar kohë më parë në zonat e luftës në Siri.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se nga bashkëpunimi i Qeverisë së Kosovës me atë të Shqipërisë, u bë i mundur riatdhesimi i 13 personave në mesin e tyre edhe dy kosovarë.
Sveçla thotë se kjo u bë e mundur si vazhdimësi e angazhimit të ekzekutivit kosovarë për rikthimin dhe riintegrimin e qytetarëve tanë që ka filluar nga viti 2019, shkruan Gazeta Sinjali.
“Si Qeveri e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë sot kthyem dy shtetas tanë nga zonat e konfliktit në Siri. Kjo është vazhdimësi e angazhimit të Qeverisë së Kosovës për rikthimin dhe riintegrimin e qytetarëve tanë që ka filluar nga viti 2019”, ka shkruar Sveçla.
Po ashtu, ministri thotë se Kosova është shtet lider global në luftën kundër terrorizmit.
“Jemi të lumtur që jemi shtet lider global në luftën kundër terrorizmit duke zbatuar kështu me përgjegjësi të lartë obligimet tona si shtet anëtar i Koalicionit Global kundër ISIS”.
“Si institucione do të jemi në gjendje gatishmërie në çdo kohë dhe do të angazhohemi maksimalisht për mirëqenien e qytetarëve tanë por gjithmonë duke pasur parasysh që çdo veprim kundër ligjeve të Republikës së Kosovës dënohet sipas masave që përcaktohen nga ligjet”, ka shkruar ministri Sveçla.
Tutje, Sveçla për shkak të ndjeshmërinë e këtij procesi, ka kërkuar mirëkuptim dhe respektim të privatësisë së të kthyerve.