image Nga 1 muaj paraburgim për dy të dyshuar, mashtruan disa persona në rrjete sociale - Sinjali

Nga 1 muaj paraburgim për dy të dyshuar, mashtruan disa persona në rrjete sociale

news image

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, ua ka caktuar nga një muaj paraburgim të dyshuarave L.M., dhe B.H. për mashtrim të personave të ndryshëm përmes profileve fallco në rrjete sociale, duke përfituar shuma të mëdha parash.

Një masë e tillë, është caktuar pas seancës dëgjimore, që është mbajtur sot.

Kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve e ka paraqitur prokurorja Arbëresha Shala, ndërsa në gjykatë e ka përfaqësuar prokurori Arianit Salihu.

“Prokuroria ka kërkuar paraburgim edhe pse me vëmendje të plotë i ka shqyrtuar dhe analizuar gjendjen faktike dhe provat e mbledhura deri në këtë fazë”, tha prokurori Salihu.

Tutje ai tha se prokuroria konsideron se momentalisht me masat më të buta për sigurimin e pranisë së të pandehurave, sipas nenit 173 të KPPRK-së, do të ishin të pamjaftueshme për të siguruar praninë e tyre në këtë procedurë penale.

Prokurori po ashtu tha se për më tepër, kjo kërkesë për masën e paraburgimit është e domosdoshme dhe në pajtim të plotë me KPPRK-në.

Ndërsa, mbrojtësi i të dyshuarës L.M., i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Xhevat Rama, e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë, duke shtuar se masa e propozuar është mjaftë e rëndë, si dhe ka kërkuar që të caktohet masa e lajmërimit në stacionin e policisë.

Me konstatimet e mbrojtësit të tij, është pajtuar edhe e dyshuara në fjalë, duke e kundërshtuar kërkesën e prokurorit për caktimin e paraburgimit ndaj saj.

Kurse, edhe mbrojtësi i të dyshuarës B.H., i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Besian Syla, ka kundërshtuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

Avokati Syla, ka shtuar ndër të tjera se masa e paraburgimit është shumë e rëndë, duke kërkuar masë më të lehtë për klienten e tij.

Deklaratën e avokatit Syla, e ka përkrahur edhe e dyshuara B.H.

Më pas, gjykatësi i procedurës paraprake Minir Hoti, ka caktuar për dy të dyshuarat masën e paraburgimit, e cila do të llogaritet nga 27 tetor 2021 dhe do të zgjasë deri më 27 nëntor të këtij viti, raporton Betimi për Drejtësi.

Ndryshe, sipas kërkesës së prokurorisë mbi caktimin e masës së paraburgimit, të datës 28 tetor 2021, thuhet se gjatë muajit tetor 2021, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, të dy të pandehurat në bashkëkryerje kanë mashtruar dhjetëra persona të cilët jetojnë në shtete të ndryshme të Evropës.

Tutje në kërkesë thuhet se më 25 tetor, kanë mashtruar tani të dëmtuarin Besim Ahmeti dhe Tefik Gashi.

Në kërkesë thuhet që e pandehura L.M. pasi që e ka hapur llogarinë në rrjetin social “Facebook” në emër të Astrit Llopota dhe ka komunikuar me të dëmtuarit duke iu kërkuar para se kinse Astrit Mehmeti, i njohur me nofkën Astrit “Llopota”, gjendet në burgun e Barcelonës dhe i duhen para për të ndihmuar familjen e tij të ngushtë – bashkëshorten e cila është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Me këtë rast, të dëmtuarit përmes transfereve bankare iu kanë dërguar para që përafërsisht deri më tani kapin shifrën rreth 8 mijë euro dhe ato para janë dërguar në llogarinë e të dëmtuarës B.H., e cila edhe i ka tërhequr paratë, ndërsa 2 mijë e 50 euro janë sekuestruar nga policia në vendin e ngjarjes.

Me këtë, dyshohen se kanë kryer veprën penale “Mashtrim”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin