image Neymar i jep fund karrierës me Brazilin pas eliminimit në Kupën e Botës

Futboll

Neymar i jep fund karrierës me Brazilin pas eliminimit në Kupën e Botës

news image

Neymar i ka dhënë fund rrugëtimit të tij me Kombëtaren e Brazilit, duke njoftuar pensionimin nga futbolli ndërkombëtar pas eliminimit të ekipit në Kupën e Botës.

Sulmuesi 34-vjeçar e bëri të ditur vendimin menjëherë pas humbjes 2-1 ndaj Norvegjisë në fazën e 1/8 së finales, sfidë që rezultoi të ishte edhe paraqitja e tij e fundit me fanellën e “Seleção”.

Pas përfundimit të ndeshjes, Neymar nuk i fshehu emocionet teksa konfirmoi se cikli i tij me përfaqësuesen braziliane kishte marrë fund.

“U përpoqa. U përpoqa. Filloi këtu në stadiumin MetLife dhe përfundova këtu. Tani ka mbaruar”, u shpreh ai.

Edhe pse Brazili nuk arriti të vazhdonte më tej në turne, Neymar e mbylli aventurën e tij ndërkombëtare me një gol, duke shënuar nga penalltia në minutat e fundit të takimit.

Ai largohet si golashënuesi më i mirë në historinë e Brazilit, me 80 gola të realizuar në 129 ndeshje. Gjatë karrierës së tij me kombëtaren, Neymar mori pjesë në katër edicione të Kupës së Botës dhe në disa kompeticione të rëndësishme ndërkombëtare, duke u bërë një nga emrat më të spikatur të futbollit brazilian.

Trajneri Carlo Ancelotti e kishte rikthyer në skuadër pas një mungese trevjeçare, duke i besuar një vend në Kupën e katërt të Botës dhe duke i dhënë mundësinë e fundit për të synuar trofeun që i mungonte.

Megjithatë, rrugëtimi i Brazilit u ndërpre nga Norvegjia, e cila siguroi kualifikimin falë dy golave të Erling Haaland.

Me vendimin e Neymarit për t’u tërhequr nga kombëtarja, Brazili mbyll një kapitull të rëndësishëm të historisë së tij, duke i dhënë lamtumirën njërit prej futbollistëve më të mëdhenj që ka veshur fanellën verdheblu.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/