image Nesër rivarrosen mbetjet mortore të shtatë viktimave të Masakrës së Krushës së Vogël

Sociale

Nesër rivarrosen mbetjet mortore të shtatë viktimave të Masakrës së Krushës së Vogël

news image

Mbetjet mortore të shtatë viktimave të luftës, nga Masakra e Krushës së Vogël, me kërkesë të familjeve dhe me përkrahje institucionale, do të rivarrosen nesër, në përvjetorin e Masakrës së Krushës së Vogël.

Duke filluar nga ora 12:00 do të nis ceremonia e varrimit të shtatë viktimave në Kompleksin e Varrezave të Martirëve në Krushë të Vogël.

Mbetjet mortore u takojnë:

  • Hysen (Maxhun) Zylfiu, viti i lindjes 1935, i zhdukur me datën 26.03.1999,
  • Nue (Shyt) Prenkaj, viti i lindjes 1960, i zhdukur me datën 26.03.1999,
  • Sami (Aziz) Shehu, viti i lindjes 1974, i zhdukur me datën 26.03.1999,
  • Ahmet (Manush) Berisha, viti i lindjes 1938, i zhdukur me datën 26.03.1999,
  • Nuredin (Qazim) Shehu, viti i lindjes 1927, i zhdukur me datën 26.03.1999 dhe
  • Skifter (Osman) Batusha, viti i lindjes 1981, i zhdukur me datën 26.03.1999

Zyra e Kryeministrit, mes tjerash, bën të ditur se procedurat administrative të dorëzimit të mbetjeve mortore të shtatë viktimave të luftës, që ishin në Listën e Personave të Zhdukur janë kryer sot në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Familjarët e personave të identifikuar u pritën në takim nga përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësues të EULEX-it dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

“Gjatë takimit të përbashkët, u theksua angazhimi i institucioneve dhe i Qeverisë së Republikës së Kosovës, në zbardhjen e së vërtetës dhe evidentimit institucional të krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Familjarët u njoftuan për angazhimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore për gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur dhunshëm nga lufta në Kosovë, duke vënë theksin edhe në punën që aktualisht është duke u realizuar në procesin e ri-inventarizimit të mbetjeve mortore të paidentifikuara deri më tani. U veçua angazhimi i vazhdueshëm dhe përpjekjet e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur” thuhet në njoftimin e ekzekutivit.

/GazetaSinjali/