Qeveria Kurti nesër pritet të mbajë mbledhjen e pestë me radhë me pesë pika të rendit të ditës.
Mbledhja pritet të mbahet prej orës 14:00, raporton Gazeta Sinjali.
Pika e parë e rendit të ditës pritet të jetë aprovimi i procesverbaleve dhe transkriptëve të tri mbledhjeve të para të qeverisë.
Pika e dytë në mbledhje parashihet të jetë shqyrtimi i programit të qeverisë së Kosovës për vitet 2020-2023, ndërsa pika e tretë është shqyrtimi i draftit të koncept-dokumentit për reduktimin e barrës administrative.
Pika e katërt e rendit të ditës pritet të jetë shqyrtimi i nismës për lidhjen e “Marrëveshjes për heqjen reciproke të vizave hyrëse për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare”, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Islamike të Pakistanit.
Teksa, pika e pestë pritet të jetë shqyrtimi i Nismës për lidhjen e marrëveshjes së Grantit në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Gjermane për Zhvillim, për financimin e projektit “Rritja e Kapitalit Garantues të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore”.
Kujtojmë që në mbledhjen e fundit të qeverisë u shkarkuan dy borde të ndërmarrjeve publike, ajo e Trepçës dhe e Infrakosit./ Gazeta Sinjali/