image Nesër pritet të testohen për koronavirus zyrtarët e Ministrisë së Arsimit dhe ministri Ramë Likaj

Shëndetësi

Nesër pritet të testohen për koronavirus zyrtarët e Ministrisë së Arsimit dhe ministri Ramë Likaj

news image

Koronavirusi e ka prekur edhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në Kosovë. Aktualisht, 4 zyrtarë të MASH-it janë të infektuar nga COVID-19, ndërsa nesër presin të testohen edhe disa të tjerë që kishin kontakt me ta. Në mesin e atyre që kishin kontakt me dy nga zyrtarët e infektuar është edhe ministri Ramë Likaj.

Ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të MASH-it, Agim Bërdyna ka thënë për Gazetën Sinjali se nesër presin që IKSHPK t’i marrë mostrat e zyrtarëve tjerë të këtij digasteri që dyshojnë në mos janë prekur nga COVID-19. Në pritje të testimit, disa nga zyrtarët e MASH-it janë vetizoluar, ndërsa këtë shembull nuk e ka ndjekur edhe ministri Ramë Likaj.

Bërdyna ka thënë se ekipet e IKSHPK-së herën e fundit ishin vonuar për t’i marrë mostrat e zyrtarëve që kishin pasur kontakte me të infektuarit, ndërsa ka treguar se paraprakisht ata kishin kërkuar që lista e personave që ishte dërguar për testim të shkurtohej.

“Tre zyrtarë janë të infektuar, një ka qenë më parë. Unë si sekretar i kam përcjellë të gjitha dokumentet që kanë ardhë. Ua kam përcjellë Institutit dhe Ministrisë së shëndetësisë dhe e kemi bë listën që quhet esenciale për testim. Herën e kaluar e kemi pasë vetëm një (të infektuar). Kemi pasë dërgu shumë por kanë thënë me e zvogëlu listën dhe e kemi zvogëlu. Të gjithë kanë dalë negativë përveç këtyre treve. Në atë listë i kemi çu të afërmit e tij dhe ndonjë që është anku që ka pasë kontakte të ndryshme, çoftë nëse kanë pi kafe, kanë ngrënë drekë bashkë ose… i kemi përcjellë menjëherë. Mirëpo ata nuk po reflektojnë menjëherë. Atëherë na kanë thënë brenda 5-6 dite. Janë vonu pak deri i kanë bë testet për atë grupin e parë, ku ka dalë veëm një”, ka thënë Bërdyna.

Herën e kaluar, IKSHPK i kishte testuar zyrtarët e MASH-it në njërën nga sallat që paraprakisht ishte përgatitur për këtë proces. Kësaj radhe, do të testohen edhe zyrtarët që nuk ishin testuar atëherë, pasi u hoqën nga lista për testim, me kërkesë të IKSHPK-së.

“Po presim. Besoj nesër ndoshta do të na thërrasin, ose vijnë këtu. Herën e kaluar kanë ardhë në ministri. Ua kemi siguru sallën, i kanë bërë testet për kandidatë të caktuar. Në listë kanë qenë mbi 20 që janë testu, saktë s’po më kujtohet. Prej atyre kanë dalë 3 pozitivë. Pastaj duke pasë parasysh afrinë, kush ka qenë në zyre tjera, kanë shku në vetizolim, ndërsa e kemi çu listën tjetër edhe po presim. Nga frika kemi fut më shumë. Por atëherë na thanë që s’kemi mundësi. E kemi zvogëlu, kemi shku vetëm me ata, diku kanë qenë 25-26, saktë s’e di. Nja 4 kanë mbetë pa ardhë. Tash i kemi futë edhe ata në listë, edhe të tjerët dhe po presim.

Sipas Bërdynës, “në bazë të dokumentacioneve të Ministrisë së Shëndetësisë, zyra e zyrtarit të infektuar ka shku komplet në vetizolim dhe ndonjë zyrtare që ka qenë shtatzënë”.

Gazeta Sinjali para pak ditësh kishte raportuar se ministri i Arsimit, Ramë Likaj, kishte dalë në punë dhe ishte për vizitë jashtë vendin, ndonëse priste të testohej për koronavirus. /Gazeta Sinjali/