image Nesër përurohet shtatorja e legjendës Fadil Vokrri

Futboll

Nesër përurohet shtatorja e legjendës Fadil Vokrri

news image

Shtatorja e ish presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe legjendës të sportit shqiptar,Fadil Vokrri, do të përurohet nesër me 23 korrik.

Ky përurim përkon edhe me ditëlindjen e legjendës së sportit, Fadil Vokrri.

Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një njoftimi nga ana e Ministrisë së Kulturës.

Të premten (23 korrik 2021), ora 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”, Prishtinë, do të organizohet ceremonia zyrtare e përurimit të shtatores së Fadil Vokrrit”, thuhet në njoftim.

Ministria ka njoftuar se të pranishëm priten të jenë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi si dhe personalitete tjera të institucioneve dhe të sportit.

Në fund të kësaj ceremonie, FFK-ja në stadiumin “Fadil Vokrri”, ka organizuar një turne futbolli ku do të marrin pjesë futbollistët veteranë të Llapit, Prishtinës, të Kombëtares së Kosovës dhe Kombëtares së Shqipërisë”.

Shtatorja e legjendës u punua vitin e kaluar dhe ishte paraparë të përurohej në fund të tetorit të kaluar, në mandatin e ish-ministres Vlora Dumoshi.

Për këtë projekt janë ndarë 200 mijë euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, njofton Gazeta Sinjali.

Ndërtimi i shtatores së Vokrrit kushtoi 49 mijë euro, e cila do të jetë 3 metra e lartë.

Fadil Vokrri ndërroi jetë në mënyrë tragjike më 9 qershor të vitit 2018, pas një sulmi në zemër. U nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, sa ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.

/GazetaSinjaliSporti/