image Nesër mblidhet Kryesia e Kuvendit, këto janë arsyet

Politikë

Nesër mblidhet Kryesia e Kuvendit, këto janë arsyet

news image

Kryesia e Kuvendit të Kosovës nesër pritet të vendosë rreth caktimit të datave të seancës ku do të diskutohen pikat e papërfunduara, gjersa edhe për seancën e re në të cilën pritet të mbahen dy interpelanca me kryeministrin, Avdullah Hoti sipas kërkesës së deputetëve.

Ndër pikat e papërfunduara nga seancat e mëparshme janë ato të datave 7, 13, 14 gusht dhe 17, 18, 21, 25, 28 shtator, 8, 16 dhe 29 tetor, e që kanë të bëjnë me votimin në parim të Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.

Ndër të tjerash është edhe votimi i Propozim-rezolutës nga raportimi i kryeministrit Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, votimi i Propozim-rezolutës nga interpelanca e ministrit të Brendshëm, Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Serbisë në territorin e Kosovës, përkatësisht në Karaçevë të Kamenicës dhe votimi në parim i Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e pandemisë COVID-19.

Po ashtu, do të jenë edhe pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 8, 12, 16 dhe 29 tetor për votimin në parim të Projektligjit për ndryshim-plotësimin e Ligjit për automjete, votimi i Propozim-rezolutës nga interpelanca me kryeministrin Hoti, sipas kërkesës së deputetes Besa Ismaili-Ahmeti, mbështetur edhe nga 8 deputetë të PDK-së, në lidhje me përgjegjësitë në raport me zhvillimet në procesin e dialogut në Bruksel lidhur me punën e grupeve teknike.

Pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 21 dhe 29 tetor 2020 është në lidhje me pezullimin njëvjeçar të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërsa votimi i Propozim-rezolutës nga interpelanca me kryeministrin Hoti, sipas kërkesës së deputetes Mimoza Kusari-Lila, mbështetur poashtu nga 6 deputetë të Vetëvendosjes.

Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 29 tetor, 2 dhe 3 nëntor kanë të bëjnë në parim me këto votime: Projektligji për të Drejtat Pronësore të shtetasve të huaj në Kosovë, votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me problemet e banorëve shqiptarë në veri të Mitrovicës dhe komunave të tjera në veri lidhur me pengesat që u bëhen për t’u kthyer në pronat e tyre dhe pengesat për renovimin e shtëpive të djegura gjatë luftës, kërkesa e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Kosovë për miratimin e buxhetit të këtij Komisioni Hetimor, votimi i Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin vjetor të Auditimit për 2019, votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me vazhdimin e Qeverisë së Serbisë që të mbajë të fshehur të vërtetën për fatin e mbi 1600 civilëve shqiptarë, të rrëmbyer nga ky shtet gjatë gjenocidit në Kosovë, që ende konsiderohen të zhdukur, dhe votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me sensibilizimin dhe masat që duhet të ndërmerren nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse në luftën kundër kancerit të gjirit.

Kryesia e Kuvendit po ashtu pritet të vendosë edhe për mbajtjen e një seance të re plenare ku kryeministri Hoti do të jetë pjesë e dy interpelancave, sipas kërkesës së deputetit Liburn Aliu, për çështjen “Përfshirja dhe ndarja e liqenit të Ujmanit me Serbinë në dokumentin e zotimeve të 4 shtatorit 2020” dhe sipas kërkesës së deputetes Saranda Bogujevci, për çështjen “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”.

Në rend dite të seancës së re plenare do të jenë edhe shqyrtimi i një sërë projektligjesh dhe raportesh vjetore, përfshirë edhe shqyrtimin e raportit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019 dhe formimin e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar. /Gazeta Sinjali/