Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se pikë e vetme e rendit të ditës në seancën e jashtëzakonshme të thirrur për nesër do të jetë “Propozimi dhe miratimi i masave konkrete ekonomike e financiare që duhet t’i ndërmerr Kosova”.
Përmes një njoftimi, Kuvendi ka bërë të ditur se si pasojë e pandemisë Covid-19, edhe kjo seancë do të mbahet pa praninë e gazetërëve, porse do të ketë transmetim direkt.
Seanca është thirrur nga PDK-ja, e cila pritet të prezantojë para deputetëve për miratim Pakon emergjente prej 320 milionë eurove.
Njoftimi i plotë:
Rendi i ditës
1. Propozimi dhe miratimi i masave konkrete ekonomike e financiare që duhet t’i ndërmerr Republika e Kosovës për të tejkaluar sfidat e rimëkëmbjes ekonomike në adresimin e pasojave të pandemisë së Corona Virusit “Covid 19”, me qëllim të përballimit sa më të suksesshëm të pasojave e shkaktuara (aktuale dhe të ardhshme), në drejtim të parandalimit të krizës eventuale ekonomike, zvogëlimit të humbjeve ekonomike dhe ofrimin e mbështetjes së domosdoshme veçanërisht për sektorin privat në Kosovë.
Për vëmendje:
Njoftim lidhur me qasjen e mediave në seancë
Për shkak që e gjithë hapësira e sallës plenare të Kuvendit, përfshirë ballkonin, vazhdon të mbetet në dispozicion të deputetëve, ju njoftojmë se prezenca mediave në seancën e nesërme do të jetë e pamundur.
Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj, ju njoftojmë se Kuvendi do të ofrojë linkun e transmetimit të drejtpërdrejtë të kësaj seance, nëpërmjet:
· Ueb faqes së Kuvendit,
· Kanalit zyrtar të Kuvendit në youtube, si dhe
· RTK-së, si medium publik. /GazetaSinjali/