Nesër, më 6 janar, bëhen tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë.
Dy partitë që morën shumicën e votave në zgjedhjet e 6 tetorit, ende nuk po mund të arrijnë marrëveshjen për të bashkëqeverisur, shkruan Gazeta Sinjali.
Ndërkaq nesër kur edhe bëhen tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve, presidenti i vendit, Hashim Thaçi do ta takojë kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin për t’ia dhënë mandatin për formimin e qeverisë.
Për zhvillimet e fundit në vend dhe formën e një marrveshjeje me LVV-në, para takimit të Kurtit me Thaçin, LDK-ja e Isa Mustafës do të mblidhet nesër. Fillimisht Kryesia e kësaj partie do të mblidhet në orën 09:00. Pas kësaj, është caktuar edhe një mbledhje e Grupit Parlamentar të LDK-së për në orën 13:00.
Dy partitë deri më tani opozitare kanë harmonizuar programin qeverisës dhe janë pajtuar për numrin e përgjithshëm të ministrive, ndërkaq nuk duket afër marrëveshja finale për ndarjen e pozitave dhe përgjegjësive në qeverinë e re. /Gazeta Sinjali/