Mosmarrëveshjet mes çifteve shpesh herë eskalojnë në kërcënime e dhunë fizike. Zakonisht viktima janë gratë të cilat kërcënohen e dhunohen në forma të ndryshme nga partnerët e tyre e që më pas kërkojnë ndihmën e Policisë për të siguruar mbrojtje, raporton Gazeta Sinjali.
Me kërcënime serioze nga bashkëshorti i saj është përballur edhe një grua në Ferizaj, e cila ka vendosur të denoncojë rastin në Polici.
Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 10:00 në mëngjes, kur burri dyshohet se e ka kërcënuar gruan e tij duke i thënë se do e mbysë me rrip dhe do e gjuajë nga ballkoni i shtëpisë. I njëjti e ka paralajmëruar viktimën që nëse lajmëron Policinë, të bëjë gati qefinin (material me të cilin mbështillen kufomat).
E tmerruar deri në palcë, ajo ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku para hetuesve policorë ka deklaruar se vazhdimisht ka dhunë psikike nga bashkëshorti i saj.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka mohuar të ketë pasur probleme me bashkëshorten dhe vetëm ka qortuar vajzën e tij.
Me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciaur rasti nën dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Kanosje’ dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.