Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi – Sadiku, ka folur për pjesëmarrjen e LDK-së në procesin e votimit të presidentit të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas saj, me këtë veprim LDK nuk i ndihmoi Vetëvendosjes, por institucioneve të vendit. Ajo thotë se mundësitë e partisë së saj kanë qenë të kufizuara, për shkak të rezultatit zgjedhor.
“Ne nuk i ndihmuam Vetëvendosjes, u ndihmuam institucioneve. Nëse LDK nuk merrte pjesë në seancë, vendi do shkonte në zgjedhje. Mundësitë tona ishin te kufizuara, ne nuk ishim partia fituese. Kandidati për president u propozua nga partia fituese.”
“Ajo çfarë kemi bërë, është e mirë për shtetin e Kosovës, është me i evitu zgjedhjet. Nuk kemi qenë pro zhvillimit të marrëdhënieve të ngushta me VV, por i ndihmuam. Ne nuk i kemi pasur mundësitë të prezantojmë kandidatin tjetër”, tha ajo në KlanKosova.
Mjekiqi – Sadiku u shpreh se Osmani si presidente e vendit duhet të ketë rol unifikues.
“Unë mendoj që Osmani duhet të ruaj rolin unifikues brenda partive. Takimet mes Osmanit dhe neve kanë qenë që Osmani të na sigurojë që do ruaj rol unifikues dhe ne të marrim pjesë në procesin e votimit dhe të evitojmë zgjedhjet. Qëndrimi ynë ka qenë që të jemi kundër zgjedhjeve në këtë kohë. Zgjedhjet e përcaktuan fituesin.”
“Pasojat gjatë mobilizimit të fushatave po i vuajmë sot. U rrit numri i të infektuarve. Mendimi ynë ishte që të dalim me një qëndrim në të mirë të gjithëmbarshme, po shpresoj edhe në të mirë të LDK-së. Nuk kemi nevojë për zgjedhje”, u shpreh nënkryetarja e LDK-së.
Ndërkaq, sa i përket vendimit të Hotit, Veliut e Selmanajt që të jenë prezent në seancë, por të mos marrin pjesë në votimin e presidentit, Mjekiqi – Sadiku tha se ata i kanë përfaqësuar interesat e votuesve të tyre.
“Deputeti herë pas here mund të votoj sipas bindjes së vet. Këta tre deputetë që nuk morën pjesë në votim, arsyetimi i tyre ka qenë që po i përfaqësojnë interesat e elektoratit të tyre”./Gazeta Sinjali/