image Nënkryetari i PSD-së: Unë dhe Frashër Krasniqi jemi dënuar me nga 100 euro

Siguri

Nënkryetari i PSD-së: Unë dhe Frashër Krasniqi jemi dënuar me nga 100 euro

news image

Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Zgjim Hyseni dhe bashkëpartiaku i tij, Frashër Krasniqi, janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës për shkak të kundërshtimit të qasjes së emisarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, përmes një aktiviteti, raporton Gazeta Sinjali.

Hyseni tha se aktiviteti i tyre është cilësuar si “vandalizëm” dhe për këtë vepër janë gjobitur me nga 100 euro.

“Ne e kemi zhvilluar një aktivitet me ç’rast e kemi kundërshtuar qasjen e Lajçak. Prej fillimit ne kemi qenë kundër qasjes që ka zgjedhur BE në raport me dialogun. Tashmë ka filluar të vërehet se qasja e BE-së nuk do ta ketë për efekt final zgjidhjen përfundimtare të problemeve midis dy popujve. Ata flasin për zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe nuk flasin për zgjidhje finale”, ka thënë ai në Klan Kosova.

“Kur nuk flasin për njohje reciproke, presioni për zbatimin e asociacionit është rritur. Në reagim ndaj këtyre zhvillimeve ne sot e kemi zhvilluar një aktivitet para zyrës së BE-së në Prishtinë”.

“Në përfundim të aktivitetit, ka ardhur një njësi që ka kërkuar që ne të shkojmë në stacion. Ne kemi thënë se veç kemi ushtruar të drejtat tona demokratike. Mirëpo pas insistimit të tyre, ne jemi dërguar në stacionin nr.1 në Prishtinë”.

Në stacion policor ai thotë se kanë qëndruar për rreth 1 orë e gjysmë.

“Nuk mund të them nëse kemi qenë të arrestuar apo të ndaluar, por kemi qëndruar atje për rreth 1 orë e gjysmë. Neve na është shqiptuar dënimi prej 100 eurosh për vandalizëm – 100 euro për secilin. Nuk e di nëse do t’i paguajmë, besoj se dënimi nuk është i drejtë dhe do të ushtrojmë ankesë karshi tij”, ka thënë ai./Gazeta Sinjali/