Sot në Gjykatën Themelore në Gjilan, ish-kryetari i Komunës së Kllokotit, tashmë nënkryetar i kësaj komune, Sasha Mirkoviq dhe zyrtarët e kësaj komune, Zeqir Selimi, Strahinja Steviq, Nebahate Pira, janë shpallur fajtorë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, shkruan Gazeta Sinjali.
Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare është shpallur fajtorë edhe pronari i kompanisë N. T. P “Metali”, Elbasan Alidema.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Islam Thaçi të akuzuarin Sasha Mirkoviq për dispozitivin e parë të aktakuzës e ka dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 180 ditësh.
Të akuzuarit e tjerë Zeqir Selimi, Strahinja Steviq dhe Nebahate Pira, gjykatësi Thaçi u ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 90 ditësh, përderisa të akuzuarit Elbasan Alidema i është shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 180 ditësh.
Të akuzuarit dënimin me burgim do ta mbajnë pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Gjykatësi Thaçi ka detyruar të akuzuarit që t’i paguajnë Komunës së Kllokotit shumën prej 2 mijë e 740 euro e 20 cent, në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit.
Njëkohësisht të akuzuarit detyrohen që secili veç e veç të paguajë shpenzimet e procedurës gjyqësore në shumë prej 50 euro, si dhe të njëjtit do të paguajnë 50 euro edhe për viktimat e tjerë.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjilan, më 15 prill 2019, në mungesë të provave i kishte liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ish-kryetarin e Komunës së Kllokotit, Sasha Mirkoviq, tre zyrtarët e kësaj komune, Zeqir Selimi, Strahinja Steviq, Nebahate Pira, si dhe pronarin e kompanisë “Metali”, Elbasan Alidema.
E pakënaqur ndaj këtij vendimi të Themelores, ankesë në Gjykatën e Apelit kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Gjilan.
Gjykata e Apelit, e ka aprovuar ankesën e prokurorisë dhe lëndën në fjalë e ka kthyer në rigjykim.
Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë është marrë në bazë të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, sepse dispozitivi është në kundërthënie me argumentet e nxjerra në seancën gjyqësore dhe shkresat e lëndës, derisa në aktgjykim nuk ka arsye për faktet të cilat janë treguar në lëndë, ndërsa arsyet janë dhënë në mënyrë të paqartë dhe në masën e njohur kundërthënëse, për çfarë edhe gjetja faktike ka mbetur e vërtetuar në mënyrë të gabuar, ashtu siç tregohet me bazë në ankesën e prokurorisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë, më 22 dhjetor 2015, ndaj ish-kryetarit të Komunës së Kllokotit, Sasha Mirkoviq, i cili akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”.
Sipas aktakuzës, Mirkoviq në dhjetor të vitit 2012, në cilësinë e kryetarit të komunës ka lejuar nënshkrimin e kontratës për shitblerje me kompaninë NTP “Metali” për inventarin-mobile për zyra, i cili asnjëherë nuk kishte arritur ne objektet e komunës.
Ndërkaq, Zeqir Selimi, Strahinja Steviq dhe Nebahate Pira, akuzohen që si anëtarë të komisionit për pranimin e inventarit të komunës, kanë nënshkruar përmbushjen e kontratës edhe pse një gjë e tillë nuk kishte përfunduar, e gjithë kjo me qellim që Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) të bëjë pagesën për kontratën e blerjes së inventarit nga NTP “Metali”, me çka Komuna e Kllokotit është dëmtuar në vlerë prej 29,330.00 euro.
Ndërsa, i pandehuri Elbasan Alidema, akuzohet se si pronar i firmës N.T.P “Metali”, me qëllim përfitimi, i ka shkaktuar dëm Komunës së Kllokotit.
Gjithmonë sipas aktakuzës, i njëjti më 17 dhjetor 2012 edhe pse nuk e kishte dërguar në komunë inventarin, duke përpiluar faturat, kinse në tërësi është përmbushur kontrata e 5 dhjetorit 2012, në tenderin sipas konkursit KI 660 12 025 121, e që si pasojë nga MAPL-ja i kryhet pagesa nga Komuna e Kllokotit, në vlerë prej 29,330.00 euro.