Pamje e rëndë është publikuar nga një rast në New Mexico të Shteteve të Bashkuara, ku një nënë adoleshente shihet duke e hedhur në kontejnerin e mbeturinave foshnjën e vet.
Gjyshi i foshnjës që u braktis nga nëna e saj thotë se i biri i tij 16-vjeçar është babai i foshnjës dhe se familja e tij dëshiron që ta mbajë atë.
Oscar Astorga, 50 vjeç, thotë se djali i tij, Stephen, 16-vjeç, nuk e dinte se ish e dashura, Alexis Avila, 18-vjeçe, ishte shtatzënë derisa lindi javën e kaluar dhe më pas u kap në kamerë duke e hedhur fëmijën në një kontejner mbeturinash prapa një qendre tregtare.
Në një intervistë për “Daily Mail”, Astorga tha se familja dëshiron që ta marrë foshnjën. “Natyrisht që po përpiqemi që ta marrim. Ai është nipi im. Prandaj nuk mund të komentoj për asgjë, sepse po mundohemi që ta marrim nipin tim”, tha ai.
Në bazë të mesazheve mes të riut dhe një miku, babai i foshnjës besonte se ish e dashura ka pasur abort dhe nuk ishte në dijeni se do të bëhej prind derisa ajo u arrestua për hedhjen e foshnjës në mbeturina.
Nëna e arrestuar i ka thënë policisë se nuk e dinte që është shtatzënë dhe e mori vesh këtë vetëm kur filloi të kishte dhimbje në bark. Ajo është akuzuar për tentim-vrasje dhe abuzim të fëmijës dhe pritet të paraqitet në një gjykatë në Lovington të mërkurën.
Foshnja u gjet nga tre mbledhës të mbeturinave pesë orë pasi ishte hedhur. Ata fillimisht kishin menduar se zëri që e kishin dëgjuar në kontejner ishte i një maceje.