Në vitin 2020 për shkak të pandemisë ishte pamundësuar edhe falja e namazit të Bajramit .
Sonte ishte nata e fundit e agjërimit, në kuadër të muajit të shenjtë të ramazanit.
Në përfundim të këtij muaji, të gjithë besimtarët e fesë Islame, nesër festojnë festën e Fitër Bajramit.
Por nëse kthehemi në kohë, pikërisht kjo festë dy vite më parë nuk ishte festuar siç duhet.
Për shkak të numrit të madh të rasteve me koronavirus, Qeveria e Kosovës bashkë me institucionet e tjera përkatëse patën marrë vendim për mos-lejimin e faljes së namazit të Bajramit, si dhe ishin ndaluar vizitat e shumta të familjarëve.
Pavarësisht këmbënguljes së shumë qytetarëve për të falur namazin, kjo gjë nuk ishte lejuar shkaku i rrezikshmërisë së lartë të shpërndarjes së virusit COVID-19.
E tani që jemi në afërsi të festimit të Fitër Bajramit, situata është krejtësisht ndryshe.
Tashmë pandemia COVID-19 thuajse ka mbaruar. 10 raste me COVID-19 u konfirmuan në 24 orët e fundit, ndërsa numri i rasteve aktive në gjithë vendin është 431.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se numri i përgjithshëm i të shëruarve është 224 mijë e 514, kurse vetëm orëve të fundit 19 qytetarë kanë arritur të mundin virusin COVID-19.
Në 24 orët e fundit janë dhënë 64 doza të vaksinës antiCOVID, ndërsa që nga fillimi i vaksinimit në gjithë vendin u dhanë 1.826.221 doza të vaksinës.
Tashmë që situata me koronavirus është padyshim më e qetë, namazi i Fitër Bajramit parashihet të falet nesër në ora 06:09. Kjo është bërë e ditur nga Bashkësia Islame e Kosovës.
Namazi i Fitër-Bajramit falet në orën 06:09, të cilit do t’i prijë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat Sahiti. Hytben e Fitër – Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili do t’i drejtohet opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste.