Bashkatdhetarët të cilët ia kanë mësyrë vendlindjes po përballen me pritje të gjata në pikë-kalimet kufitare me Serbinë.
Sipas të dhënave të fundit të Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar derisa ka rënë fluksi i bashkatdhetarëve që po vijnë në Kosovë, është shtuar numri i atyre që po kthehen në vendet e Evropës Perëndimore.
Pritje më të gjata janë regjistruar në dalje të Kosovës, në pikë-kalimin kufitar në Merdarë, ku është krijuar kolonë deri në 1,500 metra dhe bashkatdhetarët po presin deri në pesë orë.
Ndërsa, për të hyrë në Kosovë në këtë pikë-kalim kufitar pritet deri në 20 minuta.
Edhe në pikë-kalimin kufitar me Serbinë, në Muçibabë, për dalje nga Kosova, bashkatdhetarët po presin deri në dy orë.
Ndërkaq, te Dheu i Bardhë, kolona dhe pritje më të gjata deri në 90 minuta janë krijuar në anën serbe të kufirit, hyrje për në Kosovë.