Çdo vit në Shqipëri humbasin rreth 120 fëmijë, por fatmirësisht shumica e tyre gjenden në një kohë të shpejt. Në ditën ndërkombëtare për fëmijët e humbur, bëhet me dije se 16 fëmijë rezultojnë të zhdukur në harkun kohor të 30 viteve.
Edhe pse janë bërë kërkime, asgjë nuk është mësuar për fatin e këtyre fëmijëve.
Pikërisht për të mos lejuar më raste të tilla, Shqipëria do të jetë vendi i parë në Ballkan që do shpallë sinjalin Amber, një sinjal që lëshohet nga policia për të angazhuar të gjitha institucionet dhe komunitetin në gjetjen dhe rikuperimin e një fëmije të humbur ose të zhdukur.
Qendra Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur dhe të Shfrytëzuar (ICMEC) në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe qendrën për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri, kanë hartuar protokollet e punës që do të zbatohen nga policia.
Do të jetë kompania globale Meta e cila ka rënë dakord që të bashkëpunojë me Policinë e Shtetit për të shpërndarë njoftimet e alarmit për fëmijët e humbur.
Sinjali Amber u krijua në vitin 1996 në SHBA, pas humbjes së një vajze 9-vjeçare, Amber Hagerman, e cila u rrëmbye dhe më pas u gjet e vrarë në Teksas. /euronews.al/