image Në QKUK kryhet me sukses një operacion i rëndë

Shëndetësi

Në QKUK kryhet me sukses një operacion i rëndë

news image

Në Klinikën e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është kryer një operacion i rëndë tek një pacient i moshës rreth 31-vjeçare.

Kardiokirurgu Ramë Alaj, e ka kryer këtë intervenim, dhe ka thënë se pacienti kishte çarje të aortës, enës kryesore të gjakut – rreth 9 cm, si më e madhja deri tani e regjistruar në këtë klinikë.

“Gjatë kësaj jave në klinikën e kardiokirurgjisë kam operuar një pacient në moshë shumë të re (viti: 1991) me dg. Acute Aortic Dissection et Aortic Valve Regurgitation (ҫarje e arotës rreth 9 cm), më e madhja e regjistruar deri më tani në klinikën tone” ka shkruar Alaj në Facebook.

Alaj ka thënë se ky operacion është realizuar me sukses falë punës ekipore.

“Kjo falë punës ekipore intraoperative dhe postoperative me: Dr. Shpejtim Shurdhiqi, Dr. Leonard Bytyqi, Dr. Ngadhnjim Arifi, Dr. Erblin Beqiraj, anestesion: Dr. Dafina Matoshi, Dr. Doruntina Bunjaku, perfusion: Genc Tasholli, Shyqyri Hoxha, ins. Edonesa”, ka shkruar më tutje mjeku Alaj.

Ai gjithashtu është shprehur se e ka bërë këtë postim jo për të treguar punën e tyre, por për të ngritur vetëdijen te qytetarët.

“Po e bëj këtë postim jo për të treguar punën tonë rutinë, po për shkak të vetëdijesimit të pacientëve dhe kolegëve tanë, që mos ta anashkalojmë një sëmundje të tillë vrastare me një vdekshmëri 1-2% në orë dhe 50% në 48 orë e që haset në 3.5 raste në 100.000 banor”, ka thënë ai, derisa ka kërkuar që të mos nënçmohen dhembjet e gjoksit.

/GazetaSinjali/