image Në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, satelitët efektivë janë të paktë

Botë

Në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, satelitët efektivë janë të paktë

news image

Në bazë të të gjitha llogarive, lufta e Rusisë kundër Ukrainës nuk po shkon mirë.

Numri i vlerësuar i ushtarëve të vrarë rusë është pothuajse i ngjashëm me humbjet sovjetike gjatë gjithë luftës 10-vjeçare në Afganistan.

Forcat ruse kanë dështuar të arrijnë disa qëllime strategjike, të tilla si marrja e kontrollit të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev.

Më shumë se dy të tretat e grupeve taktike të batalionit të Rusisë – njësitë e saj themelore luftarake – janë pozicionuar. Forcat e saj kanë pësuar dështime të mëdha në ndërveprim dhe komunikim.

Një element i madh në listën e problemeve janë satelitët – ka shumë pak prej tyre dhe shumë pak me cilësi të lartë.

Sipas ekspertëve dhe informacioneve të përpiluara nga Radio Evropa e Lirë, Rusia, prej kohësh, ka një flotë të vogël dhe të pamjaftueshme të satelitëve të komunikimit dhe vëzhgimit, që në shumë raste mbështeten ose në teknologji të vjetruar, ose në pjesë të importuara, që tani janë vështirë të qasshme për shkak të sanksioneve të Perëndimit.

Ukraina nuk ka flotë të saj satelitore. Por, ajo ka përfituar shumë jo vetëm nga sasia e paprecedent e armatimit dhe pajisjeve ushtarake që ia ka siguruar SHBA-ja, por edhe nga një sasi e paprecedent e inteligjencës, që përfshin të dhëna në kohë reale për lëvizjet e trupave ruse, shkruan REL.

Është e paqartë nëse këto përfshijnë imazhe me rezolucion të lartë nga satelitët e spiunazhit.

Por, në secilin rast, shpërndarja e zhvillimeve teknologjike perëndimore ka rezultuar me imazhe satelitore të cilësisë së lartë, në kohë reale, të disponueshme jo vetëm për inteligjencën ushtarake, por edhe për kompanitë private tregtare. Rusia nuk ka pothuajse asgjë nga këto.

Në parim, Rusia është praktikisht e verbër në orbitë”, thotë Bart Hendrix, analist me bazë në Bruksel dhe ekspert për programet hapësinore sovjetike dhe ruse.

Sipas një baze të të dhënave, të mbikëqyrur nga Unioni i Shkencëtarëve – një organizatë e respektuar joqeveritare e SHBA-së – Rusia aktualisht ka rreth 100 satelitë ushtarakë ose me qëllime të dyfishta.

Nëntëmbëdhjetë prej tyre klasifikohen si satelitë me sensorë në distancë, me teknologji që lejon fotografimin optik ose mbikëqyrjen e radio-sinjalit. Të tjerët shërbejnë për qëllime të tjera.

Rëndësia e rezolucionit

Rusia ka tani në orbitë dy satelitë të zbulimit optik, të quajtur Persona, thotë Hendrix, por ata janë lëshuar 7-9 vjet më parë, që do të thotë se mund të jenë afër fundit të jetës së tyre.

Për më tepër, shton Hendrix, rezolucioni maksimal i satelitëve Persona besohet të jetë 50 centimetra për pixel.

Për krahasim, satelitët më të mirë amerikanë të zbulimit, të quajtur Keyhole, vlerësohet të kenë rezolucion prej rreth 5 centimetrash për pixel. Me këtë rezolucion, shkronja “V”, që po vizatohet në çatitë e automjeteve ushtarake ruse që operojnë në Ukrainë, do të ishte lehtësisht dhe qartë e dukshme nga lartësia tipike e një sateliti spiun.

Kompanitë komerciale satelitore, si Maxar dhe Planet, zakonisht kanë një rezolucion maksimal prej rreth 15 centimetrash.

“Amerikanët kanë së paku pesë satelitë Keyhole-12, italianët, francezët dhe spanjollët kanë satelitët e tyre”, thotë Hendrix.

Rusia ka mbetur prapa edhe në ndërtimin dhe lëshimin e satelitëve me sensorë në distancë, radarët e të cilëve mund të shohin përmes reve, ndryshe nga satelitët optikë.

Sipas bazës së të dhënave të Unionit të Shkencëtarëve, Rusia ka vetëm një satelit të konfirmuar radar, që quhet Kondor. Ai është lëshuar në vitin 2014 dhe me një jetëgjatësi prej pesë vjetësh, mund të ketë pushuar së funksionuari.

Në shkurt, forcat hapësinore të Rusisë lëshuan një satelit tjetër, të quajtur Kosmos-2553 ose Neutron.

Për qëllimin ose aftësinë e tij dihet pak, megjithëse është ndërtuar nga Mashinostroyeniye – një institut kërkimor ushtarak në Moskë, i cili është i specializuar në mënyrë specifike për satelitët me radar.

“Nëse Neutron është një satelit radar, atëherë do të ishte lëshimi i parë i tillë në pothuajse 10 vjet”, thotë Hendrix.

GPS, GLONASS

Sistemi më dominues në botë për teknologjinë e pozicionimit është platforma e ndërtuar në SHBA, e njohur thjesht si Sistemi i Pozicionimit Global ose GPS.

Teknologjia është e disponueshme për publikun dhe përdoret gjerësisht në çdo gjë, nga sistemet e navigimit deri te telefonat inteligjentë. Por, për shkak se zotërohet dhe operohet nga Qeveria e SHBA-së, Rusia ka kohë që bën përpjekje të ndërtojë një alternativë, të njohur si GLONASS.

Që rrjeti GLONASS të jetë plotësisht funksional, atij i duhen 24 satelitë. Rusia aktualisht ka vetëm 23 të pozicionuar dhe disa prej tyre po i afrohen fundit të jetëgjatësisë në orbitë.

Rusia ka bërë përpjekje për të ndërtuar dhe lëshuar njësi të reja për rrjetin GLONASS, pjesërisht për shkak të sanksioneve që i ka vënë Perëndimi që pas aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska, në vitin 2014.

Ekspertët thonë se deri në 90 për qind e pajisjeve elektronike – të cilat duhet të jenë rezistente ndaj rrezatimit hapësinor, që mund t’i shkatërrojë shpejt pajisjet e ndjeshme – të përdorura në satelitët e gjeneratës së ardhshme GLONASS K-1, importohen.

Rusia është përpjekur të dizajnojë dhe prodhojë pjesë zëvendësuese, por rezultati ka qenë një satelit dy herë më i rëndë se modelet e mëparshme, e që ende nuk është lëshuar në orbitë.

Gjysma e satelitëve GLONASS mund të bien [nga orbita] në çdo moment. Në parim, dështimi i tre ose katër të parëve do të ndikojë vetëm në një zonë të caktuar. Por, për mbulimin normal të territorit të Rusisë, nevojiten rreth 18 njësi”, thotë një ekspert, që ka punuar në industrinë ruse dhe evropiane të hapësirës ajrore, por kërkon të mbetet anonim në diskutimin e çështjeve të ndjeshme të industrisë.

Nëse trendi i lëshimit nuk ndryshon rrënjësisht, sistemi GLONASS do të shpërbëhet brenda vitesh”, thotë ai.

Mbingarkesa me të dhëna

Një problem tjetër është përpunimi i të dhënave, thotë Pavel Podvig, ekspert për forcat e armatosura ruse dhe bashkëpunëtor në Institutin e OKB-së për Kërkimet në Çarmatim, në Gjenevë.

Është një gjë të kesh satelitë, është tjetër gjë të jesh në gjendje për t’i përdorur ata. Ju keni nevojë për një sistem që do t’ju lejojë të transferoni shpejt informacionin nga satelitët te njerëzit e duhur, të cilët do ta përpunojnë atë dhe do t’ua transferojnë njerëzve përgjegjës”, thotë Podvig.

Fakti që Rusia ka disa satelitë që ende fluturojnë, nuk do të thotë se ekziston një sistem i tillë, dhe nëse ekziston, në rastin e Rusisë është vështirë të thuhet se sa i mirë apo i keq është”, thotë ai.

/GazetaSinjali/