Televizioni shtetëror i Kinës, CCTV e ka anuluar transmetmin e ndeshjes së futbollit midis Arsenalit dhe Manchester Cityt pasi Mesut Ozil e kritikoi Pekinin për shtypjen brutale ndaj myslimanëve ujgurë në rajonin e Ksinjiangut.
Gjermani me prejardhje turke kritikoi edhe vendet e tjera myslimane se pse nuk ngrihen kundër abuzimeve me internime e tortura ndaj myslimanëve, transmeton Gazeta Sinjali.
Pekini zyrtar tha se Ozil është “mashtruar nga lajmet e rreme” dhe tha se ai duhet ta vizitojë vetë rajonin kinez të Ksinjiangut.
“E ftojmë zotin Ozil ta vizitojë Ksinjiangun e Kinës dhe ta shohë vetë. Nëse ka ndërgjegje, ai mund ta bëjë dallimin e qartë midis së mirës dhe së keqes”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Geng Shuang.
Grupet e të drejtave të njeriut thonë se rreth një milion njerëz, kryesisht nga komuniteti mysliman ujgur mbahen të burgosur në kampe të sigurisë së lartë në Kinë.
Qeveria kineze e mohon vazhdimisht keqtrajtimin e myslimanëve ujgurë dhe thotë se ata po edukohen në “qendra të formimit profesional”. Në këtë mënyrë, Pekini zyrtar thotë se po e lufton ekstremizmin e dhunshëm fetar.
Ujgurët janë grupi më i madh indingjen i Ksinjiangut. /Gazeta Sinjali/