image Në këtë vend të Kosovës namazi i Bajramit u fal në xhami, intervenoi policia

Kosovë

Në këtë vend të Kosovës namazi i Bajramit u fal në xhami, intervenoi policia

news image

Përkundër vendimit të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës që namazi i Fitër Bajramit të mos falet në xhami, duket se jo të gjithë e respektuan këtë vendim, shkruan Gazeta Sinjali.

Të paktën vendimi i BIK-ut nuk u respektua në fshatin Biçec të Kaçanikut. Atje 20 deri në 30 besimtarë myslimanë bashkë me imamin falën namazin e Bajramit në xhaminë e fshatit.

Për t’ju bashkuar në falje në xhami tentuan të hynin edhe banorët e tij, por të njëjtit u penguan nga Policia e Kosovës.

Këtë për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi i cili tha se besimtarët u hasën në xhami gjatë një kontrolli të policisë në atë pjesë, por ata që veç se kishin filluar faljen, nuk u penguan.

“Po, mund t’ua konfirmoj se në xhaminë e fshatit Biçec gjatë kontrollimit Policia ka hasur në 20, 30 persona banorë të fshatit të cilët kanë qenë duke e falur namazin e Bajramit. Ka pasur edhe persona të tjerë që kanë ardhur pastaj, por policia nuk i ka lejuar të futen në xhami. Personat të cilët kanë qenë në xhami nuk janë penguar, por do të merret masa ndaj tyre. Sigurisht që me ta ka qenë edhe imami i fshatit”, tha Gashi.

Kujtojmë që me vendim të BIK-ut, të gjitha xhamitë në Kosovë u mbyllën më 16 mars dhe për shkak të situatës së krijuar nga COVIID-19, ato nuk u hapën as sot për Fitër Bajram, andaj edhe namazi u Bajramit nuk u falë në xhami./Gazeta Sinjali/