Barcelona po mendon transferimin e Romelu Lukakut të Chelseat pasi nënshkrimi i një sulmuesi mbetet prioriteti më i madh i klubit blaugranas për afatin kalimtar të verës, sipas Marcas.
Erling Haaland i Borussia Dortmundit dhe Robert Lewandowski i Bayern Munichut fillimisht ishin opsionet e preferuara të Barçës, por marrëveshjet për sulmuesit e Bundesligës dukeshin gjithnjë e më të vështira për t’u përfunduar.
Këtu hyn Lukaku, me reprezentuesin belg të pakënaqur te Chelsea. Ndërsa ai ishte shfaqur në prag të largimit nga Stamford Bridge gjatë merkatos së dimrit, 28-vjeçari do të largohet në verë me klube të ndryshme të interesuara për nënshkrimin e tij.
Belgu ka dëshpëruar me paraqitje këtë sezon pasi ka realizuar vetëm 12 gola me blutë, teksa në dy sezonet paraprake me Interin ai kishte shënuar 64 gola në 95 ndeshje.
Zyrtarët e Barcelonës, Mateu Alemany dhe Jordi Cruyff tashmë janë takuar me Federico Pastorello, përfaqësuesin e Lukakut, për një lëvizje të mundshme, megjithëse duket se kjo marrëveshje gjithashtu mund të jetë e ndërlikuar.
Chelsea pagoi një tarifë të madhe për Lukakun, të cilën Barcelona nuk do të mund ta përsëriste.
Deri më sot, nuk ka asnjë lëvizje konkrete për Lukakun, por të dyja palët janë në dijeni të situatës dhe presin të shohin se çfarë do të ndodhë me pronësinë e Chelseat, si dhe çfarë synojnë të bëjnë pronarët e rinj potencialë.