image Në Gjermani do të mbahet koncert me 4 mijë njerëz për të parë sesi përhapet COVID-19

Botë

Në Gjermani do të mbahet koncert me 4 mijë njerëz për të parë sesi përhapet COVID-19

news image

Shkencëtarët gjermanë po planifikojnë të organizojnë një koncert në ambient të mbyllur. Aty planifikohet të marrin pjesë 4,000 persona për të parë sesi përhapet koronavirusi mes njerëzve, transmeton Gazeta Sinjali.

Një ekip nga Universiteti Martin Luther i Halle-Wittenberg po rekruton vullnetarë për “eksperimentin koronavirus” të 22 gushtit që do të organizohet në një stadium të mbyllur në Leipzig dhe ku do të interpretojë kantautori Tim Bendzko.

Ata që do të jenë në publik do të mbajnë maska dhe një pajisje në qafë që dërgon sinjale çdo 5 sekonda e që do të tregojë vendndodhjen e tyre në stadium. Gjithashtu, do të përdorin dezinfektues duarsh fluoreshent për të identifikuar gjërat që preken më shumë në një koncert.

“Me këtë eksperiment duam të kuptojmë nëse ka një rrugë të mesme mes normalitetit të vjetër dhe normalitetit të ri. Duam të dimë se si mund të organizohet një koncert në mënyrë të sigurt”, tha Dr. Stefan Moritz për “The Guardian”.

Vullnetarët do të jenë të moshës nga 18 deri në 50 vjeç dhe duhet të kenë dalë negativë në testin e koronavirusit 48 orë përpara koncertit. Të gjithë do të marrin pjesë në 3 koncerte: i pari pa distancim social, i dyti me distancim social, ku gjysma e ulëseve do të jenë bosh dhe i treti do të ketë vetëm 2000 persona, që do të kenë një distancë për 1,5 metrash nga njëri-tjetri. /Gazeta Sinjali