image Në emër të Vlora Dumoshit dikush jep lajmin për vdekjen e Kadaresë, reagon ministrja

Kosovë

Reagim/ Në emër të Vlora Dumoshit dikush jep lajmin për vdekjen e Kadaresë, reagon ministrja

news image

Ministrja e sapozgjedhur e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka qenë viktimë e një sulmi kibernetik pak orë para se ta marrë zyrtarisht postin e saj.

Dikush ka hapur llogari në rrjetin social Twitter me emrin e saj, dhe ka shpërndarë lajme të rreme, duke thënë se ka vdekur shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare.

Postimet janë shkruar në gjuhën angleze, madje në njërin prej tyre thuhet se lajmin për vdekjen e Kadaresë, Dumoshit ia ka konfirmuar edhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Shqipërisë, Elva Margariti.

Pas këtyre postimeve në Twitter, ka reaguar ministrja Dumoshi në profilin e saj në Facebook, ku ka thënë se ajo nuk posedon asnjë llogari në Twitter dhe se llogaria që po shpërndan ‘fake news’ në emër të saj është e rrejshme.

“Sapo u njoftova se dikush ka hapur një llogari të rrejshme në emër timin në rrjetin social Twitter dhe të njëjtën e ka keqpërdorur, duke lëshuar lajme të rrejshme -fake news. Dua të ju informoj se unë nuk kam asnjë llogari në Twitter”, ka shkruar Dumoshi.

Madje ajo ka shtuar se këtë rast do ta paraqesë në Departamentin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës.

“Menjëherë do ta paraqes rastin në Policinë e Kosovës, departamentin e krimeve kibernetike. Dëshiroj të shpreh keqardhjen time për këdo që mund të jetë trazuar nga këto lajme të rrejshme, duke keqpërdorur emrin tim”, ka shkruar tutje Dumoshi./GazetaSinjali/