image Pumper: Në dokumentet e sekuestruara nga OVL-UÇK kishte informacione për dëshmitarët

Drejtësi

Pumper: Në dokumentet e sekuestruara nga OVL-UÇK kishte informacione për dëshmitarët

news image

Në Dhomat e Specializuara në Hagë është duke vazhduar dëgjimi i dëshmitarit të parë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër ish-krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Zenka Pumper, koordinatore e hetimit në ZPS, ka folur sot rreth paketës numër 3 e cila përmban dokumentet e sekuestruara nga OVL-UÇK. Sipas saj në ato dokumente ka pasur emra e prova që kanë të bëjnë me dëshmitarë të cilët ishin objekt i masave mbrojtëse.

Zenka Pumper ka thënë se “Paketa 3” përmbante informacion që i ishte dhënë ZPS-së nga organizata ndërkombëtare.

“Mua më është dhënë nga prokuroria, më janë dhënë emrat specifik dhe këta emra i kam kontrolluar në bazën tonë të brendshme të të dhënave dhe i kam parë aplikimet, kërkesat e prokurorisë dhe rregullat e gjykatës të cilët japin urdhra mbrojtës për individë të cilët janë identifikuar në paketën 3. Është pak e vështirë për mua që të konfirmoj se cilat janë dokumentet të cilat i kam parë dhe i kam kontrolluar. Ajo çfarë mund të them është që unë kam përcaktuar qartë nëse personat të cilët kanë qenë pjesë e paketës numër 3 ishin apo jo pjesë e urdhrit për dhënien e masave mbrojtëse për këta individë”, ka thënë ajo.

Sipas saj këtu bëhet fjalë për tre dëshmitarë.

Unë kam marrë emrat e individëve dhe më pas këto emra janë konfirmuar në paketën 3, kam shqyrtuar dokumentet të cilat lidhen me të njëjtit individë nga organizata ndërkombëtare të cilat kanë vendosur kufizime në nxjerrjen e materialeve apo deklaratave individuale të cilat janë dhënë për ZPS-në nga organizatat ndërkombëtare”, ka thënë ajo.

Prokurorja Valeria Bolici edhe gjatë kësaj seance i ka paraqitur disa dokumente dëshmitares, për të cilat kjo e fundit ka konfirmuar se i ka shkruar.

Për disa prej këtyre dokumenteve, prokurorja ka kërkuar nga trupi gjykues që të regjistrohen si prova materiale.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

/GazetaSinjali/