Koalicioni Lëvizja Vetëvendosje-Lidhja Demokratike e Kosovës, ka bërë kthesë të madhe politike në vend. Pas më shumë se një dekade, Partia Demokratike e Kosovës, ka shkuar në opozitë. Ish-kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli, që radhiti partinë e tij në vendin e tretë në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, ka paralajmëruar opozitë të fortë bashkë me 24 deputetët e subjektit të tij politik.
Për herë të parë Kadri Veseli është ulur në ulësen e deputetit të Kuvendit. Ish-kryeparlamentari, Veseli, në fjalimin e tij para deputetëve është zotuar se do t’i kërkojë llogari për çdo gjë Qeverisë Kurti.
Në seancën e tejzgjatur të Kuvendit të Kosovës, gjithë opozita iu vërsulën me kritika Albin Kurtit, aty nuk munguan as këshillat për të. Kësisoj nënkuptohet se Qeveria Kurti do të jetë nën llupën e ish-ministrave dhe deputetëve të PAN-it.
Kur erdhi koha për ta hedhur në votim Qeverinë Kurti, deputetët e PDK-së kanë lëshuar sallën e Kuvendit.
Nga e ashtuquajtuara ‘qeveri kineze’, ajo e PAN-it, vendi ynë është pasuar nga një qeveri me 15 ministri dhe 33 zëvendësministra apo rreth 50 më pak sa ishin në Qeverinë Haradinaj.
Ndryshime janë vërejtur edhe në përbërjen e re të kabinetit qeveritar. Për herë të parë ish-ministri i Ministrisë së Administratës Publike, Mahir Yagcilar, nuk do të jetë ministër.
Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpalosur disa prej pikave kryesore që synohen të realizohen nga koalicioni, Lëvizja Vetëvendosje-Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kurti ka përmendur rritjen e vendeve të punës, zhvillimin ekonomik. Për punëtorët ka premtuar kujdes të veçantë. Sipas tij, do të punohet vetëm 8 orë në ditë e 40 orë në javë. Ndërkohë ka thënë se për të kontrolluar një gjë të tillë do të angazhojë rreth 400 inspektorë.
Gjithashtu, ka përmendur investimet në teknologji, dhe përkushtim për rend dhe sundim të ligjit. Kurti ka përmendur edhe vetingun që do të kryhet në bashkëpunim me ndërkombëtarët.
Kurti ka paralajmëruar se do të kërkojë llogari dhe dëmshpërblim nga Serbia për krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës.
‘Koalicioni i shpresës’, pritet të përballet me temat e trashëguara ndër vite, vazhdimin e dialogut me Serbinë, taksën ndaj mallrave serbe e boshnjake, liberalizimin e vizave, papunësinë, rezultatet e dobëta në arsim, fushën e shëndetësisë etj.
Qeverinë Kurti e votuan 66 deputetë pro, asnjë kundër dhe 10 abstenuan.
Pasi Kurti bëri betimin për kryeministër të Kosovës, nga Kuvendi tha se do të bëjë maksimumin dhe do të dëgjojë zërin e të gjithë qytetarëve pa marrë parasysh se kënd e kanë votuar në zgjedhje. /Gazeta Sinjali/