image Ndodh në Kosovë: Daja dhunon dhe rrah mbesën, e incizon gjatë aktit

Kosovë

Incest/ Ndodh në Kosovë: Daja dhunon dhe rrah mbesën, e incizon gjatë aktit

news image

N.D dyshohet se ka dhunuar seksualisht mbesën e tij (vajzën e motrës), L.M, shumë vite më të re se ai. N.D që është me vendbanim të përhershëm në Gjermani me familje, dyshohet se gjatë momentit të dhunimit e rrahu, incizoi dhe fotografoi mbesën e tij. Sipas pretendimeve të prokurorisë kjo ngjarje ka ndodhur verën e vitit të kaluar, në një motel në rrethinë të Prishtinës. Sinjali posedon lëndën e këtij rasti dhe për shkaqe të privatësisë nuk e publikon identitetin e plotë e as vendlindjen e të dyshuarit dhe viktimës.  

Si shumica e bashkëatdhetarëve, duket se edhe N.D kishte vendosur që pushimet t’i kalonte në Kosovë, por në momentin që vetura e tij hyri në territorin e Republikës së Kosovës u arrestua nga policia, në njërën nga pikat kufitare. Në verën e vitit që shkoi N.D dyshohet se kaloi pushime të llojit që vetëm një regjisor i filmave pornografikë mund t’i imagjinojë. Por këtë vit, saktësisht më 28 korrik, “kënaqësia” iu kthye në makth kur me të hyrë në Kosovë u prangos nga policia. Atij i është caktuar edhe masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, e gjithë kjo pasi L.M e raportoi rastin në polici. Nga provat që ka siguruar policia (bisedat screenshot), vërehet që i dyshuari është acaruar me viktimën veç pse e ka raportuar dhunimin.  

Gjykata Themelore e Prishtinës ia caktoi masën e paraburgimit, N.D-së nën dyshimet për veprat penale “Dhunim” dhe “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”, raporton Sinjali.

Ky dyshim rrjedhë nga provat e grumbulluara të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, si: Raporti fillestar i incidentit, deklaratat e të dëmtuarës,  deklaratat e dëshmitarëvë (përfshirë nënën e të dëmtuarës), pastaj komunikimet (screenshot), vërtetimi mbi sekuestrimin e telefonit, kopja e CD-së etj. 

Kundër masës së paraburgimit mbrojta e N.D kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit. Por, Apeli refuzoi si të pabazuar ankesën e avokatëve mbrojtës.

“Deklaratat e të dyshuarit se ka ardhur për t’u ballafaquar më këtë punë (procedurë), deklarata këto në të cilat thirret edhe mbrojta, në ankesë, gjykata njëherë për një herë nuk mund t’i marr si relevante, pasi që është vështirë të vërtetohet qëllimi i tyre. Aq më tepër kur nga provat që ka siguruar policia (bisedat screenshot) vërehet se i dyshuari është i acaruar që e dëmtuara e ka paraqitur rastin në polici dhe flet me një gjuhë kërcënuese. Andaj ky pretendim i mbrojtjes nuk është i bazuar në ligj”, thuhet në aktvendimin e Apelit.

Madje, në vendimin e Apelit theksohet se ka arsye për të besuar se po të lirohet N.D, ai  do të mund të ndikojë në dëshmitarët të cilët akoma nuk kanë dhënë deklarata në prokurori. Po ashtu sipas Apelit, ai edhe mund të bëjë presion te e dëmtuara dhe nëna e saj që në emër të “ruajtjes së nderit” të tërhiqen nga deklaratat e dhëna në polici.

“E duke qenë se kemi të bëjmë më një rast, ku i dyshuari dhe e dëmtuara janë në raporte të ngushta familjare, ka arsye për të besuar, se ai qoftë në mënyrë direkte ose indirekte, do të mundohet te bëjë presion tek e dëmtuara L.M, ose nëna e të dëmtuarës dëshmitarja, që në emër të ruajtjes se nderit familjar, turpërimit publik, dokeve ose zakoneve, të tërhiqen ose ndryshoj deklaratat e dhëna në polici. Kështu që në këtë formë të pengoj rrjedhën normale të procedures”, thuhet në vendimin e Apelit, transmeton Sinjali.

Në aktvendimin e Apelit theksohet se ekziston rreziku që N.D të kryej ndonjë vepër të re penale, prandaj i refuzohet kërkesa për zbutjen e masës së paraburgimit.

 “Marrë parasysh mënyrën dhe rrethanave në të cilat është kryer (duke e keqpërdorur besimin e te dëmtuarës, afërsinë familjare dhe pozitën e saj inferiore) si dhe karakteristikave personale të pandehurit (një i pandehur më defekte të mëdha në personalitet, duke qenë se dyshohet se e ka dhunuar vajzën e motrës, shumë vjet më te re, të cilën edhe e ka incizuar pastaj edhe e ka rrahur), ekziston rreziku se ai mund të kryej ndonjë vepër penale të re”, thuhet në aktvendim.

Sidoqoftë, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale “Dhunim” dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet. Ndërsa vepra penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”,  dënohet me gjobë ose me burgim prej një (1) deri në tre (3) vjet./Sinjali/