image Ndikimi i PDK-së në avancimin e referentes në UP

Kosovë

Politizim/ Ndikimi i PDK-së në avancimin e referentes në UP

news image

Drejtuesit e PDK-së po vazhdojnë parafushatën me gojën plotë për luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit, por një gjë e tillë po rezulton krejt ndryshe në praktikë. Anëtarët e PDK-së po vazhdojnë të ndikojnë në avancimin dhe në punësimet e dyshimta nëpër institucionet vendore. Një rast i tillë i freskët është në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”

Merita Osmani – Rama, bashkëshortja e ish-kandidatit të PDK-së për asamblist në Komunën e Vushtrrisë, Fatos Rama, është avancuar në mënyrë të dyshimtë nga pozita e saj Zyrtare e shërbimit të studentëve në Fakultetin e Filologjisë në Ushtruese të detyrës së zyrtares për mësim, raporton Gazeta Sinjali.

Në fakt për këtë pozitë, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është duke shpallur konkurs për herë të dytë me radhë, teksa burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se pozita e zyrtarës për mësim është projektuar për Merita Osmani – Ramën e cila tashmë veç e ushtron këtë detyrë.

Merita Osmani – Rama është bashkëshorte e ish-kandidatit të PDK-së për asamblist në Vushtrri, Fatos Rama.

Ky i fundit ka lidhje të ngushta shoqërore me sekretarin e UP-së, Esat Kelmendin, të cilat vërehen edhe nga postimet në llogarinë e tij në Facebook.

Në tetor të vitit të kaluar Rama kishte publikuar një fotografi me sekretarin e UP-së, Esat Kelemendin.

Aty shihen të dy në një aheng familjar, ndërsa Rama e cilëson si mik sekretarin e UP-së.

Fotografia mes Esat Kelmendit dhe Fatos Ramës

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Fatos Ramën lidhur me avancimin e bashkëshortes së tij si dhe me lidhjet e tij me sekretarin e UP-së. Ai ka refuzuar të flas për lidhjet e tij me Esat Kelmendin, ndërsa informacionet për punësimin e bashkëshortes së tij i ka cilësuar si të gabuara.

“Informatat janë të gabuara. Ndërsa, raportet e mia me Esat Kelmendin nuk janë me rëndësi dhe nuk kam arsye të përgjigjem”, ka thënë shkurt Rama për Gazetën Sinjali.

Gazeta ka tentuar të marr edhe një përgjigje nga Esat Kelemendi, sekretari i UP-së, por as pas disa ditë pritjeje, Kelmendi nuk ka kthyer përgjigje, ndërsa telefoni i tij ka qenë i paqasshëm për mediumin.

Konkursi i dyshimtë ku pritet të avancohet referentja

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka hapur dy herë të njëjtin konkurs me disa ndryshime të vogla çka ngritin dyshime për parregullsi në këtë proces.

Më 20 mars të këtij viti, Universiteti i Prishtinës kishte hapur konkurs për disa vende pune për pozitën zyrtare për mësim, ku ishin specifikuar edhe fakultetet e UP-së për plotësimin e këtyre pozitave. Por në konkursin e dytë ky element i rëndësishëm i njësive akademike nuk është përmendur fare.

“Zyrtar për mësim, një punonjës në Fakultetin e Arteve, një në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, një në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, dhe një në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sport”, thuhet në konkursin e parë të shpallur nga UP.

Më 1 korrik të këtij viti ky konkurs ishte anuluar për siç thuhej shkaqe procedurale.

“Universiteti i Prishtinës, njofton të gjithë kandidatët të cilët kanë aplikuar në konkursin nr 7.18, dt. 20.03.2019, për personel administrativ në Universitetin e Prishtinës, se i njëjti anulohet për shkaqe procedurale”, thuhej në njoftimin e UP-së për anulimin e këtij konkursi.

Megjithatë, më 9 gusht UP ka rishpallur konkursin për zyrtarë mësimor në të cilin nuk specifikoheshin fakultetet e UP-së ku kërkohen këto pozita.

“Zyrtar për mësim në njësi akademike (Katër punonjës)”, shkruan njoftimi i dytë i UP-së.

Në anën tjetër, drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka filluar parafushatën me zotimin për luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit. Përveç kësaj Veseli në një konferencë për media kishte ftuar të gjitha partitë politike që ta nënshkruajnë një marrëveshje për luftimin e korrupsionit, por që ishte refuzuar nga liderët e partive politike. Në arsyetimin e disa prej kryetarëve të partive politike në vend kishin thënë se partia që e kultivoi korrupsionin nuk mundet që ta luftojë atë./Gazeta Sinjali/