image Ndërron jetë krijuesi i biskotave "Plazma"

Rajon

Ndërron jetë krijuesi i biskotave “Plazma”

news image

Petar Tutavac, krijuesi i biskotës së njohur “Plazma”, ka vdekur dje (e hëne) në moshën 88-vjeçare, në Serbi.

Sipas portalit kroat “Index”, ai ishte i pari profesionist i biskotave në ish-Jugosllavi. Ndër të tjera, recetë e tij është edhe biskota “Domaqica” e kompanisë kroate “Krash”.

Tutavac lindi në vitin 1934 në në Slivno, afër Dubrovnikut.

Në vitin 1949, aplikoi për një kurs për biskota në Zagreb, të cilin e organizoi fabrika e njohur “Krash”, ku pas kryerjes së shërbimit ushtarak, edhe u punësua.

Biskota “Plazma” llogaritet kurora e karrierës së tij, ndonëse ai kurrë nuk lavdëroi asnjë nga produktet e tij.

“Plazma” e Petar Tutavacit u zhvillua në Pozharevc të Serbisë. Atje, ai themeloi fabrikën “Bambi”, që sot është në pronësi të “Coca Colas”.

Në fakt, shumë para biskotës “Plazma”, italianët më 1902 kishin nisur të prodhonin biskotën “Plasmon”, e ngjashme në shije dhe në dukje me “Plazmën”, që nisi të prodhohet më 1967.

“Ne ramë dakord që mund të prodhonim ‘Plazma’, por që nuk mund ta eksportonim në tregun italian dhe më pas kërkova që italianët të mos e eksportonin Plasmonin e tyre. Kjo ishte marrëveshja”, tha ai.

Biskotat “Plazma” janë të njohura edhe në Kosovë dhe marketet një pjesë të madhe të rafteve e mbushin me këtë produkt. Madje në kohën kur Kosova kishte vënë taksë 100 për qind ndaj produkteve serbe, biskota “Plazma” zihej më së shumti në gojë. Ka pasur raste, kur për këtë lloj biskote është folur edhe në Kuvendin e Kosovës. /GazetaSinjali/