“Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s“, janë fjalët e para që shkruan NATO-ja në faqen zyrtare në Facebook.
Njësitë e Forcës së Reagimit së NATO-s mbërritën në Rumani të hënën dhe të martën për të përforcuar pozicionin mbrojtës të NATO-s në pjesën lindore të Aleancës.
500 trupa franceze u mblodhën në Istres në Francën jugore përpara se të vendoseshin në Rumani.
“Kjo është hera e parë që NATO aktivizon Forcën e Reagimit të NATO-s për mbrojtjen kolektive dhe parandalimin”, thuhet në njoftim.
Franca kryeson elementin e gatishmërisë më të lartë të këtij viti të Forcës së Reagimit të NATO-s.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg përshëndeti vendosjen duke thënë se gjatë javëve të fundit NATO-ja ka rritur praninë e tyre në pjesën lindore të Aleancës.
“Trupat franceze kanë mbërritur në Rumani si elementi kryesor i kësaj force. Angazhimi ynë për nenin 5, klauzolën tonë të mbrojtjes kolektive, është i veshur me hekur. Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”, tha Stoltenberg.