Lidhur me rastin i cili është raportuar mbrëmë se disa fëmijë të komuniteteve janë lënë anash në Festën e Abetares në Pejë, ka reaguar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, shkruan Gazeta Sinjali.
Nagavci ka deklaruar se si ministre e MASHTI-t shpreh shqetësim të thellë për rastin.
“Si ministre e MASHTI shpreh shqetësimin e thellë për rastin e raportuar në medie si diskriminues për pjesëmarrjen e nxënësve nga komunitetet: rom, ashkalinj dhe egjiptas në aktivitetin e sotëm të Festës së Abetares, në Pejë!”.
Ajo ka bërë të ditur se rasti do të shqyrtohet sot me DKA-në e Pejës.
“Parimi i mosdiskriminimit është pjesë e politikave dhe veprimeve tona në vazhdimësi, prandaj duhet respektuar dhe zbatuar në të gjitha nivelet”.
Tutja ajo në postimin e saj në Facebook është shprehur se “si ministre, mësimdhënëse, nënë e qytetare, dënoj çdo formë diskriminimi, në çdo relacion, e posaçërisht kur bëhet fjalë për fëmijët, te cilët duhet t’i rrisim me dashuri e barazi në çdo hap të jetës!”.