image Nagavci: Qëllimi i komunës i mirë por kur nuk shkon diçka, duhet zgjidhje - Sinjali

Nagavci: Qëllimi i komunës i mirë por kur nuk shkon diçka, duhet zgjidhje

news image

Ministria e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit para disa ditësh bëri thirrje që të gjithë nxënësit e Komunës së Kamenicës të jenë në shkolla më 5 maj, në bazë të vendimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar.

Ministrja Arbërie Nagavci sërish ka folur për organizimin e mësimit në Kamenicë, duke thënë se kësaj çështje qëllimshëm po i japin kahje tjetër. Megjithatë sipas saj, edhe pse “qëllimi i komunës ka qenë i mirë, kur diçka nuk shkon, duhet të gjendet zgjidhja”.

“Nuk është në rregull të kemi klasa me 3-4 nxënës. Pra duhet te ketë numër të mjaftueshëm të nxënëse, minimum 15-20 nxënës. Përjashtim bëjnë zonat malore dhe ato kufitare. Si përshembull në Karaçevë.

Nuk duhet parë vetëm mbyllja si zgjedhje. Sikur një gjë e tillë do të ndodhte në Prishtinë, mundeni me marrë me mend çfarë zhurme mundet me ndodhë.

Nuk dua të hyjë në atë pjesë se kush është fajtori. Qëllimi i komunës ka qenë i mirë, por kur e shohim që diçka nuk po shkon, duhet të gjendet një zgjedhje.

Qëllimshëm po i japin kahje tjetër. I kam thënë kryetarit të Kamenicës, që përvoja e Kamenicës do të jetë përvojë e mirë kur të organizojmë mësimin në nivel Kosove”, tha Nagavci në Kanal10.

Me këtë vendim nuk është pajtuar kryetar i Kamenicës, Qëndron Kastrati, i cili përmes një letre publike ia ka rikujtuar ministres Nagavci reformat që i kishte nisur kur ishte në krye të arsimit në Prishtinë. Ai në letrën e tij e ka njoftuar Negavcin me problemet që ballafaqohet arsimi në Kamenicë. Këtë vendim, Kastrati e quan “shkel e shko”.

Edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës po e konsideron shqetësues ndërhyrjen e Ministrisë së Arsimit lidhur me reformën në arsimin parauniversitar në Komunën e Kamenicës.

Ky institucion ka kërkuar që të zbatohet Opinioni Ligjor i Zyrës së Kryeministrit dhe të anulohet Udhëzimi Administrativ për Kriteret dhe Procedurat e Themelimit dhe Pushimit të Veprimtarisë së Institucioneve të Arsimit Parauniversitar.

Këshilli i Kryetarëve vlerëson se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe as Ministrja Nagavci nuk ka të drejtë të ndërhyjë në kompetencat e komunës në organizimin e arsimit fillor dhe të mesëm, “sepse është detyrë e komunës të organizoj sistemin arsimor sipas ligjeve në fuqi, të caktojë ku janë shkollat dhe cilët janë mësimdhënësit”.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin