image Nagavci pas incidentit në Kamenicë: Është situatë e krijuar prej kohësh mes Kryetarit dhe banorëve

Politikë

Nagavci pas incidentit në Kamenicë: Është situatë e krijuar prej kohësh mes Kryetarit dhe banorëve

news image

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas përplasjeve të sotme mes banorëve të fshatit Shipashnicë të Kamenicës me zyrtarët policorë, ku këta të fundit përdorën edhe sprejin, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas saj, kjo situatë është krijuar që sa kohë mes Kryetarit të Komunës dhe banorëve të disa fshatrave dhe se nuk ka të bëjë fare me nivelin qendror.

“Kjo është një situatë e krijuar tash e një kohë në mes Kryetarit të Komunës së Kamenicës dhe banorëve të disa fshatrave atje dhe nuk ka të bëjë asgjë me nivelin qendror”, shkroi ndër të tjera ajo.

Tutje, përmes një postimi, Nagavci ka ftuar Komunën që të jetë në nivel të përgjegjësisë dhe mos të lejojë asnjëherë përsëritjen e situatave të tilla.

“Më duhet ta bëjë të qartë edhe njëherë se si Ministre e Arsimit e kam obligim Kushtetues që ta realizoj të drejtën e çdo fëmije për shkollim dhe do të punojmë që asnjë fëmije të mos i mohohet kjo e drejtë. Ky duhet të jetë dhe qëllimi i të gjithëve, nuk ka asnjë arsyetim për faktin se më shumë se 440 fëmijë janë privuar nga kjo e drejtë.

Ftoj komunën që të jetë në nivel të përgjegjësisë e të mos lejojë asnjëherë më të përsëriten situata të tilla. Prindërit dhe banorët, ndonëse janë përballur e po vazhdojnë të përballen me një situatë jo të lehtë, i lus të jenë të kujdesshëm në mënyrë që të mos krijohen ngjarje  si kjo sot e mbi të gjitha të mos rrezikohet siguria e fëmijëve”, ka shkruar ndër të tjera ajo.

Postimi i saj i plotë:

Sot përmes mediave u informova për atë që ka ndodhur në Shipashnicë të Poshtme të Kamenicës. Si ministre e Arsimit jam e shqetësuar me pamjet që i pashë sidomos për faktin që aty kishte edhe fëmijë.

Kam kontaktuar me ministrin Sveçla i cili më njoftoi se Inspektorati i policor tashmë po e heton rastin nëse ka pasur tejkalim të kompetencave.

Kjo është një situatë e krijuar tash e një kohë në mes Kryetarit të Komunës së Kamenicës dhe banorëve të disa fshatrave atje dhe nuk ka të bëjë asgjë me nivelin qëndror.

Sado që ka qëllime tendencioze, e vërteta është se ne nuk kemi ndërhyrë në situatën e krijuar në mes të komunës dhe banorëve në asnjë rast. Por respektojmë të drejtën e qytetarëve dhe mendojmë se askush nuk ka të drejtë të tejkalojë kompetencat aq më tepër kur në këtë mes janë fëmijët.

Më duhet ta bëjë të qartë edhe njëherë se si Ministre e Arsimit e kam obligim Kushtetues që ta realizoj të drejtën e çdo fëmije për shkollim dhe do të punojmë që asnjë fëmije të mos i mohohet kjo e drejtë. Ky duhet të jetë dhe qëllimi i të gjithëve, nuk ka asnjë arsyetim për faktin se më shumë se 440 fëmijë janë privuar nga kjo e drejtë.

Ftoj komunën që të jetë në nivel të përgjegjësisë e të mos lejojë asnjëherë më të përsëriten situata të tilla. Prindërit dhe banorët, ndonëse janë përballur e po vazhdojnë të përballen me një situatë jo të lehtë, i lus të jenë të kujdesshëm në mënyrë që të mos krijohen ngjarje  si kjo sot e mbi të gjitha të mos rrezikohet siguria e fëmijëve.

Fëmijët duhet të jenë në shkollë. Prindërit të kenë në vëmendje të parë kujdesin për fëmijët, e Kryetari duhet të jetë në shërbim të qytetarëve./Gazeta Sinjali/