Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci tha se kanë hartuar udhëzimin administrativ për përfshirjen e punimeve shkencore në mësimdhënie. Ajo tha se tani ky udhëzim është në diskutim publik dhe se shumë shpejtë do të miratohet në ministri.
“Tashmë e kemi në plan dhe e kemi hartuar udhëzimin administrative. Drafti është në diskutim publik dhe shumë shpejtë do të miratohet në ministri. E para është granti për mësimdhënësit që e përfshinë hulumtimin në mësimdhënien e tyre në nivelin akademik dhe e dyta për shpërblim të profesorëve që i kanë pasur rezultatet më të larta”, deklaroi Nagavci.
Gjatë fjalimit në seancën e Kuvendit të Kosovës, ministrja i konsideroi shqetësuese, qëndrimet e deputetëve lidhur me mbajtjen e orëve shtesë.
“Sa i përket çështjes për vendimin për mësimin shtesë, është shqetësuese që ka deputetë që e quajnë vendim skandaloz. Jemi të vetëdijshëm që në shkollat e Kosovës ka mësimdhënës të ndërgjegjshëm që mbajnë mësim plotësues. Tani kam marr vet pjesë në orët shtesë që janë organizuar, kam mbajtur orë plotësues për nxënësit në nevojë dhe të shohësh që sot jepen deklarata të tilla për mua është pak e habitshme”, ka thënë ajo.
Ministrja në seancë është deklaruar edhe me çështjen e kthimit të fëmijëve në shkollë në Komunën e Kamenicës.
“Lidhur me çështjen e kthimit të fëmijëve të Kamenicës në mësim, janë tri çështje: reforma, ri-organizimi i shkollës dhe mësimi alternativ i përshpejtuar. Jemi në përgatitje për riorganizimin e shkollave të Kosovës. Në Kamenicë çështja është mes kryetarit të komunës dhe prindërve e që duhet që sa më shpejtë të arrijnë një zgjedhje”, ka thënë Nagavci.
Ndër të tjera ajo tha se nuk ka ndërhyrë në çështjet e komunës.