image Nagavci nuk i “bindet” Kushtetueses, thotë se ka vepruar në mbrojtje të drejtave të fëmijëve

Arsim

Nagavci nuk i “bindet” Kushtetueses, thotë se ka vepruar në mbrojtje të drejtave të fëmijëve

news image

Gjykata Kushtetuese sot ka gjetur shkelje nga ana e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci lidhur me vendimin e 23 prillit 2021 që hidhte poshtë reformën e ish-kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Pas këtij vendimi, ministrja ka reaguar përmes një shkrimi, ku ka thënë se ajo ka vepruar drejt.

“Vendimin e GjK-së do ta analizoj me kujdes në ditët në vijim, por mbetem e bindur se mosveprimi nga ana ime në rastin e Kamenicës do te ishte shkelje e të drejtave të fëmijëve, shkelje e së drejtës kushtetuese për arsim, shkelje e konventave ndërkombëtare dhe në dëm të interesit të fëmijëve. Një gjë të tillë nuk mund ta toleroj as si ministre, as si nënë e as si profesioniste”, ka shkruar ajo.

Shkrimi i plotë:

E drejta për shkollim nuk mund t’i mohohet asnjë fëmije, nga askush. Është obligimi im kushtetues, profesional e moral që të angazhohem për realizimin e të drejtës për arsim për të gjithë fëmijët e Republikës së Kosovës, pa marrë parasysh ku ata jetojnë.

Vendimin për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar, për 441 nxënës të Komunës së Kamenicës e kam marrë pasi dështuan të gjitha përpjekjet që një hap i tillë të ndërmirret nga kryetari i Komunës. Si Qeveri kemi obligim të sigurojmë vijimin e shkollës për të gjithë nxënësit dhe nuk mund të lejojmë që ata të bëhen peng i mosmarrëveshjeve në mes të Kryetarit të Komunës dhe komunitetit ku jetojnë.

Me marrjen e vendimit për mësim të përshpejtuar, 441 fëmijë në Komunën e Kamenicës janë rikthyer në bankat shkollore pas më shumë se 7 muajve. Rreth 100 nxënës të fshatit Busavatë për dy vite nuk kanë vijuar mësimin. Kjo është shkelje e të drejtave të fëmijëve, është papërgjegjësi, është e patolerueshme dhe e pafalshme.

Vendimin e GjK-së do ta analizoj me kujdes në ditët në vijim, por mbetem e bindur se mosveprimi nga ana ime në rastin e Kamenicës do te ishte shkelje e të drejtave të fëmijëve, shkelje e së drejtës kushtetuese për arsim, shkelje e konventave ndërkombëtare dhe në dëm të interesit të fëmijëve. Një gjë të tillë nuk mund ta toleroj as si ministre, as si nënë e as si profesioniste.

/GazetaSinjali/