Ministrja e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se janë të gatshëm për fillimin e ri shkollor, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në Facebook, ministrja e Arsimi, ka bërë të ditur se pas takimit me Ministrinë e Shëndetësisë, sipas rekomandimeve të profesionistëve shëndetësor dhe raportit të IKShPK-së janë që të vazhdohet me të njëjta masa edhe për një periudhë, duke lënë të nënkuptohet se mësimi me prezencë fizike mund të mos fillojë nga data 13 shtator, kur është paralajmëruar.
Siç bëhet e ditur nga Nagavci udhëzuesi për organizimin e mësimit për vitin shkollor 2021/2022 është rishikuar dhe publikuar, ku mundëson organizimin e mësimit sipas kushteve epidemiologjike në vend.
“Udhëzuesi, mundëson organizimin e mësimit sipas kushteve epidemiologjike në vend duke përfshirë edhe kushtet e rihapjes së institucioneve edukativo-arsimore me masa të shtuara për shëndetin publik, kushte të mbylljes së pjesshme apo kushte të mbylljes së plotë për shkak të rrezikshmërisë së shëndetit nga COVID-19.
Po ashtu, janë shpërndarë tekstet shkollore si dhe janë përgatitur shkollat për fillimin e procesit mësimor. Siç e kemi thënë edhe më herët, synimi ynë është që institucionet shkollore të hapen sa më parë dhe mësimi të realizohet me prezencë fizike.
Megjithatë, në takimin e fundit me Ministrin e Shëndetësisë dhe përfaqësues kompetent, u njoftova se rekomandimet e fundit të profesionistëve shëndetësor, sipas raportit të sotëm të IKSHP-së, janë që të vazhdohet me të njëjtat masa edhe për një periudhë të caktuar, deri në përmirësimin e situatës me pandeminë dhe rivlerësimin e masave. Natyrisht se ne do të respektojmë rekomandimet e profesionistëve shëndetësor dhe vendimi përfundimtar për këtë çështje, do të vendoset në mbledhjen e rradhës së Qeverisë”, ka shkruar Nagavci. /GazetaSinjali/