image SBAShK kërkon normalizimin e procesit mësimor - Sinjali

SBAShK kërkon normalizimin e procesit mësimor

news image

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), ka kërkuar nga ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, që të normalizojë procesin mësimor për shkak të situatës së qetë të pandemisë.

Kjo kërkesë është parashtruar nga SBAShK-u në takimin që patën sot përfaqësuesit e saj me ministren Nagavci.

 “Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj dhe koordinatori për organizim të brendshëm, Ymer Ymeri, i kanë prezantuar këtë kërkesë ministres së MAShTI-t duke e argumentuar me faktin se situata me pandeminë është përmirësuar dukshëm dhe se janë krijuar kushtet që arsimit në Kosovë t’i kthehet në tërësi normaliteti duke nënkuptuar që paralelet e ndara në grupe të bashkohen prapë dhe orët mësimore të jenë në kohëzgjatjen e duhur”, njofton SBAShK-u.

Sipas komunikatës së SBAShK-ut, ministrja Nagavci ka të njëjtin mendim me sindikatën dhe e përkrah këtë propozim. Ajo citohet të ketë premtuar se do të diskutohet propozimi dhe me organet gjegjëse do të merret vendimi.

Përfaqësuesit e SBAShK-ut kanë treguar në këtë takim se edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut e shtete të tjera e kanë normalizuar në tërësi procesin mësimor duke vazhduar me respektimin e masave mbrojtëse. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin