image Nagavci bindet se pati diskriminim në Festën e Abetares: Pamjet e mbrëmshme të papranueshme

Arsim

Nagavci bindet se pati diskriminim në Festën e Abetares: Pamjet e mbrëmshme të papranueshme

news image

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka shkuar sot në shkollën “Xhemajl Kada” në Pejë për t’u informuar më detajisht, për rastin e diskriminimit të fëmijëve të komuniteteve joshumicë gjatë Festës së Abetares e cila u mbajt dje.

Ajo gjithashtu ka njoftuar se për këtë çështje, Ministria e Arsimit ka dërguar inspektorët për të shqyrtuar më në detaje ndodhinë.

Për rastin e djeshëm, MAShTI ka dërguar inspektorët, të cilët do të shqyrtojnë në detaje informatën, ndërsa nga vizita në shkollë u informova se bëhet fjalë për një klasë të mësimit intenziv, ku ka nxënës të moshave dhe klasave të ndryshme, të cilët janë riatdhesuar ose e kanë braktisur mësimin për arsye të ndryshme”.

Në këtë vizitë, Nagavci tha se ka vizituar disa klasa të integruara të mësimit të rregullt dhe se ka biseduar me udhëheqës të shkollës, si dhe me mësimdhënës për rastin e ndodhur, por edhe për, siç tha, punën që bëhet në këtë shkollë, e cila ka rreth 1400 nxënës, prej tyre rreth 230 të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe rreth 100 boshnjakë.

Pamjet e mbrëmshme ishin shqetësuese për të gjithë ne. Këto pamje janë të papranueshme dhe diskriminimi nuk ka vend në shkollat tona. Si Ministri e Arsimit kemi ndërmarrë një varg politikash gjithëpërfshirëse. Ndër të tjera, kemi ndarë 500 bursa për nxënësit e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian dhe sivjet për herë të parë do të përkrahim me bursa edhe studentët e këtyre komuniteteve, me synim ata të Fakultetit të Edukimit, në mënyrë që të krijojmë kuadro që do të punojnë në shkollat tona”, ka shkruar Nagavci.

Ajo tutje shtoi se është e rëndësishme që këto politika të gjejnë zbatim në të gjitha nivelet dhe në këtë drejtim është po aq i rëndësishëm angazhimi i mësimdhënësve, prindërve, komunitetit dhe mediave e shoqërisë civile.

Megjithatë, duhet të jemi shumë të sinqertë dhe të ndershëm dhe të pranojmë se si shoqëri kemi akoma shumë punë për të bërë në fushën e gjithëpërfshirjes dhe dhënien e mundësive të barabarta të gjithë fëmijëve, e sidomos atyre që janë të margjinalizuar”.

/GazetaSinjali/