Myftiu Naim Tërnava ka thënë sot se virusi COVID-19 ka krijuar një situatë jo normale në gjithë botën, ndërsa theksoi se në këtë kohë nga popullata pritet të ketë disiplinë dhe zbatim të udhëzimeve e vendimeve të institucioneve profesionale të vendit, e para së gjithash Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK) dhe vendimeve të qeverisë.
Tërnava në mesazhin e xhumasë thotë se pandemia i ka privuar të gjithë nga rrjedha normale e jetesës dhe si masë parandaluese në shumë sektorë është ndërprerë puna e aktiviteti.
“Punohet vetëm në institucionet vitale, nga popullata presim një disiplinë dhe zbatim të udhëzimeve e vendimeve të institucioneve profesionale të vendit e para së gjithash Institutit kombëtarë të shëndetit publik dhe vendimeve të qeverisë së vendit. Zbatimi i udhëzimeve e vendimeve të tyre në këtë situatë, është obligim njerëzor, human, moral e edhe obligim fetar. Sepse ruajmë shëndetin tonë, ruajmë fëmijët tanë, familjet tona dhe ruajmë komunitetin ku jetojmë e veprojmë. Ruajtjen e shëndetit e kemi farz nga i madhi Zot, kujdesin për shëndetin e fëmijëve e kemi farz nga i madhi Zot, kujdesin ndaj familjes e kemi po ashtu farz nga i madhi Zot”, tha ai.
Sipas tij, ajo çfarë kërkohet nga qytetarët është të rrinë në shtëpi, që të ruajmë vetën, fëmijët, familjen e komunitetin.
“Sikurse që kërkohet nga ne të shtojmë edhe më kujdesim për pastërtinë e higjienën tonë, me fe e kemi farz që të jemi vet të pastër, të kemi ambient të pastër e rrethin ku jetojmë ta pastrojmë. S’ka dyshim se në këtë kohë kërkohet nga ne të kemi sabër e durim të shtuar, edhe durimin këtë e kemi parim nga mësimet e fesë sonë fisnike dhe se vërtetë Zoti i do ata që bëjnë durim”, shprehet Tërnava.
Tërnava ka dhënë edhe një udhëzim lidhur me vizitat që bëhen në rastet e epidemive.
“Shikoni se çfarë na ka mësuar e porositur Muhamedi a.s me rastin e epidemive, porosia e të cilit edhe sot e kësaj dite e deri në kiamet ruan aktualitetin ‘Nëse dëgjoni se diku ka rënë një epidemi, mos shkoni në atë vend! Nëse godet epidemia një vend dhe ju ndodheni aty, mos u largoni që andej për t’i shpëtuar!’”. /GazetaSinjali/