image Mustafa: Vetëvendosje po bën korrupsion partiak, LDK s’ka marrë pjesë në votimin për borde

Kosovë

Deklaratë/ Mustafa: Vetëvendosje po bën korrupsion partiak, LDK s’ka marrë pjesë në votimin për borde

news image

Ministrat e LDK-së nuk kanë marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e bordeve të përkohshme të tri ndërmarrjeve publike. Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se politizimi i bordeve nga Vetëvendosje në këtë formë, është korrupsion partiak.

Në mbledhjen e 21-të të qeverisë në detyrë në krye me Albin Kurtin, mbrëmë është marrë vendim për emërimin e tri bordeve të ndërmarrjeve në vend.

Emërimi i Bordit të Postës, Ujësjellësit e Infrakosit, ka ngjallur reagime të shumta, sidomos pasi që u bë e ditur se disa prej të emëruarëve ishin anëtarë ose të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.

Për këtë cështje, ka pasur një reagim nga Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari që emërimin e bordeve e arsyetoi duke thënë se është bërë përkohësisht. Sipas saj, bëhet fjalë për njerëz që së voni janë antarësuar në LVV e që nuk e vjedhin shtetin.

Mirëpo, me këtë vendim të qeverisë në detyrë nuk po pajtohen as partneri në koalicion i LVV-së, LDK-ja. Madje, ministrat në detyrë të Lidhjes Demokratike nuk kanë marrë pjesë në votimin që është mbajtur mbrëmë për këtë temë.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë sot se minisrat e LDK-së në këtë qeveri mbesin vetëm për të ndihmuar në betejën me koronavirusin.

“Ministrat nga LDK në këtë Qeveri mbesin vetëm për të ndihmuar betejën me Covid-19. Jo për të marrë pjesë në vendime tjera të Qeverisë në dorëheqje Ministrat nga LDK nuk kanë marrë pjesë në asnjë votim për bordet”, thotë Mustafa, teksa sqaron se kanë përkrahur në mbledhjen që është mbajtur dje vetëm vendimin për kompensim të arsimtarëve për organizim të mësimit në distancë.

Sipas Mustafës, caktimi i militantëve partiak në borde nuk arsyetohet me përkohshmëri, e thotë se kjo po bëhet për interesa personale të LVV-së.

“Caktimi i militantëve partiak në borde nuk arsyetohet me përkohshmëri. Nuk arsyetohet as me nevojën që këtë ta bëjë një qeveri që është në ikje. Është militantizëm partiak dhe tendencë për të kapur kompanitë publike për interesa të VV-së. Është shkelje e deklarimeve të tyre publike për depolitizim të bordeve. Politizimi i tyre në këtë formë është korrupsion partiak”, ka thënë Mustafa për Express.

Emërimin e këtyre bordeve e kanë dënuar përvec partive politike në vend edhe nga shoqëria civile.