image Mustafa reagon pas deklaratave të Osmanit: Sot u shpall e vdekur ideja për bashkim të shqiptarëve të Luginës

Rajon

Mustafa reagon pas deklaratave të Osmanit: Sot u shpall e vdekur ideja për bashkim të shqiptarëve të Luginës

news image

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa ka reaguar ndaj deklaratave të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në Kuvendin e Kosovës.

Presidentja Osmani, duke folur për idenë e shkëmbimeve të territoreve me Serbinë tha se “koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar njëherë e përgjithmonë”.

Mirëpo, për Mustafën kjo deklaratë, e ka shpallur të vdekur idenë e shpresën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për t’iu bashkangjitur Kosovës.

“Të dashur shqiptar e shqipëtare të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës! Sot, në parlamentin e Republikës së Kosovës presidentja e vendit shpallë të vdekur idenë e shpresën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkëngjitje me Kosovë. Me këtë, njëkohësisht shfuqizon Referendumin e 1 e 2 marsit të vitit 1992, luftën e UÇPMB-së dhe aspiratën shekullore të shqiptarëve të këtyre trojeve për ribashkim me Republikën e Kosovës. Asnjëherë nuk ka qenë në të kaluarën si të afërme por edhe të largët shkëmbimi territorial në mes Kosovës e Serbisë. Por, ka pasur një angazhim e zotim të presidentit Thaçi që të ribashkoj Preshevën, Medvegjën e Bujanocin me Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e Mustafës.

Ai ka thënë se s’mund të ketë president në Kosovë e as në Serbi, që do ta shuaj dëshirën dhe dokumentacionin e saj për përcaktueshmëri drejt vetëvendosjes së Luginës.

“Rikujtojmë, se nuk mund të ket presidente e as president as në Kosovë e as në Serbi, që të shuaj për dhe, jo vetëm dëshirën e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës por as edhe dokumentet e saja për përcaktueshmëri e vetëvendosje të tyre se ku duan të jetojnë. Shqiptarët e Luginës së Preshevës, bien e zgjohen nga gjumi bashkë me ëndrrën se që nesër do të ribashkohen me Kosovë dhe të nisen drejt varreve të gjyshërve e gjysheve të tyre për t’u rrëfyer se edhe NE u liruam nga okupimi serb, sepse gjitha gjeneratat që ndërruan jetë e vdiqën me sy hapur se nuk e panë të lirë tokën autoktone të tyre”, ka shkruar ai tutje.

“Nuk do të ndalemi kurrë në rrugëtimin tonë stërgjyshor drejt bashkimit me Kosovë”, ka shkruar në fund Mustafa.

/GazetaSinjali/